Sadik Halitjaha gjatë dëshmisë së tij në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka thënë se Sylejman Selimi nuk e ka kryer detyrën e tij si Komandant i Përgjithshëm në kohën kur u zëvendësoi Azem Sylën i cili ishte në Rambuje.
Halitjaha tha se në mbledhjen që ishte organizuar në të cilën u mor vendimi për zëvendësimin e Azem Syles, Sokol Bashota ishte i pakënaqur.
“Data 9 shkurt besoj nëse se kam gabim data është mbajtë një mbledhje e që ka marrë pjesë Bilim Zyrapi, Ekrem Rexha- Komandant “Drini”, Ramush Haradinaj, Remi, Sylejman Selimi dhe Sokol Bashota. Këta kanë marrë pjesë dhe kanë vendos komandant të përgjithshëm Sylejman Selimin, në këtë rast Sokol Bashota e ka lëshu mbledhjen i pa kënaqur ka qenë. Remi është Rrustem Mustafa se nuk e thash emrin e plotë. Domethënë në atë mbledhje është vendos komandant i përgjithshëm Sylejman Selimi dhe Sylejman Selimi asnjëherë nuk e ka rezlizu detyrën që iu është dhënë”, tha Halitjaha.
Halitjaha tha se mosvizita e Sylejman Selimit dhe mos jepja e urdhrave ka qenë ndoshta se zona të cilën ai e udhëheqte si dhe dy zona të tjera nuk e njihnin atë si komandant, raporton Betimi për Drejtësi.
“Nuk kemi asnjë urdhër prej tij, nuk kemi asnjë vizitë, asnjë bashkëpunim me zonat. Ndoshta pikërisht se zona jeme ku isha unë Pashtriku, Zona e Noredimes, Zona e Karadakut dhe Zona e Shalës nuk e kanë njoftë për komandant Sylejman Selimin, por e kanë njoftë atë që ka qenë më herët, Azem Sylën, kështu ka qenë”, tha Halitjaha.