Partitë opozitare në Kuvend e kanë kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurtin për mungesën e investimeve kapitale gjatë qeverisjes së tij.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se është koha kur do të duhej të promovoheshin projektet e kryera gjatë 3 viteve në rrugë, arsim, shëndetësi, energjetikë e në ujitje të tokave bujqësore dhe jo me promovimin e projektit për qese.
“Është fundi i vitit 2023, që është viti i 3-të i qeverisjes majtiste LVV-Guxo. Është koha kur do të duhej të promovoheshin projektet e kryera gjatë 3 viteve në rrugë, në arsim e shëndetësi, në energjetikë e në ujitje të tokave bujqësore”, tha Hoti.
Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, që tash është pjesë e AAK-së tha për Front Online se shumë projekte kapitale janë bllokuar.
“Shumë projekte kapitale, të cilat kanë efekte në ecuritë ekonomike me punësimin e njerëzve, janë bllokuar. Nëse do të funksionalizoheshin tërë ekonomia ringjallet me intensifikimin e investimeve, por kjo nuk po ndodh”, potencoi Shatri.