Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, tha se gjatë 74 vite të ekzistencës së NATO-s, intervenimi i saj më 1999 për ndaljen e gjenocidit të ushtruar nga Serbia mbi shqiptarët në Kosovë, është operacioni më i madh i kësaj aleance deri sot, përcjell InLajmi.
Mehaj tha se fushata 78-ditore e bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi, e çliroi përfundimisht Kosovën, duke i hapur rrugë shpalljes së pavarësisë së saj më 2008.
Tutje ministri Mehaj ka shpalosur shkurtazi historikun e NATO-s, ndërsa theksoi se kur u themelua më 4 prill 1949, Organizata e Traktatit Veri Atlantik u ndërtua nga 12 shtete, ndërsa gjatë viteve edhe 19 vende të tjera i janë bashkuar NATO-s mes tyre edhe Shqipëria më 2009 si dhe Finlanda së fundi, duke shkuar në 31 numri i shteteve anëtare.
Mehaj, kujtoi se Suedia është shteti i radhës që pritet t’i bashkohet NATO-s dhe shpreson që Kosova të jetë shteti i 33-të në NATO.
Postimi i plotë i tij:
Gjatë këtyre 74 viteve të ekzistencës së NATO-s, intervenimi i saj më 1999 për ndaljen e gjenocidit të ushtruar nga Serbia mbi shqiptarët në Kosovë, është operacioni më i madh i kësaj aleance deri sot.
Kjo e bën Kosovën një vend të rëndësishëm dhe krejt të veçantë në historinë e NATO-s. Aq më tepër që fushata 78-ditore e bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi, e çliroi përfundimisht Kosovën, duke i hapur rrugë shpalljes së pavarësisë së saj më 2008. Krijimi i Republikës së Kosovës si shteti më i ri evropian dhe si një vend me shtetndërtim demokratik të suksesshëm, është treguesi më i fuqishëm se sa e drejtë ishte ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, pasuar nga misioni i KFOR-it deri sot.
Kur u themelua më 4 prill 1949, Organizata e Traktatit Veri Atlantik u ndërtua nga 12 shtete. Përgjatë viteve, edhe 19 vende të tjera i janë bashkuar NATO-s, mes tyre edhe Shqipëria më 2009 si dhe Finlanda së fundi, duke shkuar në 31 numri i shteteve anëtare.
Suedia është shteti i radhës që pritet tu bashkohet vendeve aleate në familjen e madhe të NATO-s, si vendi i 32-të. E në këtë vazhdë, Kosova mbetet e përkushtuar në punë përveçse këmbëbgulëse në aspirata, për tu bërë eventualisht shteti i 33-të në NATO. Me Shqipërinë të parën në listë për nga emri si Albania dhe me Kosovën si potencialisht të 33-tën në NATO, ardhmëria e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare së shqiptarëve do të merrte garanci jetike!/InLajmi/