Është pikërisht koha kur hithrat janë të freskëta dhe të njoma dhe përgatitja e një byreku me to është zgjidhja ideale, jo vetëm për shijen por edhe për shëndetin.
AgroWeb.org sjell më poshtë përgatitjen e byrekut me hithra dhe kos, një recetë që padyshim do mbushë shtëpinë me aromë fantastike ashtu si edhe me dëshirën për t’u mbledhur menjëherë rreth tryezës.
Byrek me Hithra dhe Kos
Përbërësit
- 1 kg hithra të njoma
- 200 ml kos i freskët
- 500 gr Miell
- 250 ml Ujë
- Kripë
- Vaj Ulliri
- Sodë Buke
- Dy lugë gjelle djathë i bardhë i thërrmuar
Përgatitja e Brumit
Si fillim, përgatisim brumin, duke hedhur në një tas të madh miellin.
Pasi bëjmë një gropë në mesin e miellit hedhim kripën, sodën dhe i përzjejmë me dorë.
Në këtë moment nisim të shtojmë ujë të vakët derisa brumi të krijohet në një masë të butë dhe të përshtatshme për t’u hapur në formën e petës.
Brumin e përftuar e mbulojmë me një pecetë të pastër.
E lëmë përreth gjysmë ore që të fryhet ndërsa nisim përgatitjen e hithrave.
Përgatitja e Mbushjes
Grijmë hollë përmes një thike të mprehtë hithrat.
U hedhim kripë dhe i shtypim me duar, i vendosim në zjarr me pak ujë sa të marrin një valë dhe uji të ketë shteruar.
U shtojmë djathin e thërrmuar dhe i përziejmë.
Këtë masë, më pas e shtojmë tek hithrat dhe përzjejmë masën derisa të njëtrajtësohet.
Procesi i pjekjes në furrë
Pasi e përgatisim gjellën me hithrat, e lëmë të ftohet. Gjatë kësaj kohe brumi është gati për t’u punuar.
Brumin e ndajmë në 10 toptha të vegjël.
Pasi hapim petën e poshtme e shtrojmë në tepsi, të cilën e kemi lyer me disa pika vaj ulliri, shtrojmë petën tjetër, e spërkasim me disa pika vaj ulliri dhe vijojmë kështu derisa të kemi shtruar petën e 4-tert.
Më pas, shtrojmë gjysmën e mbushjes me hithra.
Më pas, vijojmë të shtrojmë 2 peta të tjera duke i spërkatur me disa pika vaj ulliri.
Hedhim pjesën tjetër të hithrave dhe vijojmë me shtrimin e katër petëve të tjera.
Në fund petëve u kthejmë pak anët.
Më pas, byrekun e pjekim në furrë në 180 gradë deri sa të marrë pjekjen e duhur, shkruan Agroweb.
Në fund të përgatitjes, pasi byreku është pjekur e nxjerrim nga furra dhe e lyejmë me pak gjalpë fshati.