Ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq, situatën në veri të Kosovës e cilëson tejet të rrezikshme, siç shprehet ai për shkak të veprimeve të njëanshme jo legjitime të institucioneve të Kosovës, transmeton InLajmi.
Duke folur për rrezikun aktual të sigurisë në veri të Kosovës dhe Metohisë, ministri i Mbrojtjes thotë se ai është “i madh, ndoshta më i madhi i mundshëm”.
“Duke marrë parasysh jo vetëm atë që ndodhi 2 ditët e mëparshme, veçanërisht të hënën, por gjithçka që ndodhi javë e muaj më parë, për të cilat paralajmëroi Serbia zyrtare, presidenti i Republikës ka biseduar edhe me përfaqësuesit ndërkombëtarë, i paralajmëruam edhe qytetarët në Serbi për skenarin e mundshëm dhe, për fat të keq, kjo ndodhi”, tha Vuçeviq.
Ai theksoi se “rruga e Albin Kurtit çoi në përshkallëzim, në konflikte, lëndime, të shtëna me armë zjarri dhe të gjitha ato skena që kemi parë, që nuk duam t’i shohim askund, e aq më pak në vendin tonë”.
“Situata e sigurisë është shumë e rrezikshme për shkak të vendimeve të njëanshme, të paligjshme, jolegjitime të administratës në Prishtinë, dhe mbi të gjitha, le ta quajmë me emrin e duhur dhe të përpiqemi ta sublimojmë si pushtim të veriut të Kosovës nga Prishtina”, ka shtuar Vuçeviq.
Ai theksoi se Beogradi beson në bisedë politike, dialog dhe zgjidhje politike, prandaj dje kanë pasur takime me ambasadorët e vendeve të Kuintit, si dhe me ambasadorët e Kinës dhe Rusisë.
“Prandaj presidenti ka pasur disa biseda telefonike me të gjithë ata që janë të përfshirë në procesin e dialogut, sepse gjithmonë është më mirë të kërkohet një rrugë politike, pra një zgjidhje politike, sesa të hyhet në konflikte”, tha Vuçeviq.
Ai shton se në përputhje me urdhrin e Presidentit të Republikës, ushtria serbe është ngritur në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake.
“E gatshme për të kryer çdo detyrë, dhe Serbia ka përcaktuar nga ana politike se cilat janë vijat e kuqe kur Serbia gjendet në një situatë ku kërcënohen interesat më vitale kombëtare dhe shtetërore”. E kemi fjalën për skenarë që dikush të vrasë serbët, likuidimi fizik i popullit tonë nga policia e Kosovës, dëbimi i serbëve, masakra, gjithçka që na ka ndodhur 20 apo 30 vjet më parë. Ato situata do të ishin vërtet jo vetëm alarm i kuq, por momenti kur Serbia nuk mund të flasë dhe të rrijë duarkryq”, tha Vuçeviq.
Shpresojmë dhe bëjmë çmos që një zhvillim i tillë të mos ndodhë, pasi nuk është në interes të Serbisë dhe askujt tjetër, shton ministri i Mbrojtjes.
Duke folur për daljen nga kjo situatë, Vuçeviq thotë se “dikush duhet ta tërheqë Kurtin për vesh dhe t’i thotë të qetësohet”.
I pyetur nëse Uashingtoni e bëri këtë me sanksionet e fundit, Vuçeviq thotë se për herë të parë po shohim disa masa konkrete.
“Do të shohim se cili do të jetë reagimi i Prishtinës”. Ne mirëpresim të gjitha mesazhet, masat apo vendimet që synojnë qetësimin e tensioneve dhe përcaktimin e qartë se kush është përgjegjës për këtë situatë”, tha Vuçeviq për RTS.
Ai po ashtu thekson se shpreson që Kurti të vijë në vete dhe të mos nxitojë në konflikte të mëtejshme, sepse tha ai kjo do të ishte katastrofike për të gjithë. /InLajmi/