Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, tha se zgjedhjet në 4 komunat në veri të Kosovës janë në kundërshtim me demokracinë dhe nuk i kontribuojnë paqes, besimit e as qetësimit të situatës edhe ashtu të tensionuar, transmeton InLajmi.
“Përkundër kësaj, tashmë ne po shohim përpjekjet për organizimin e një proces zgjedhor në veri të Kosovës pa pjesëmarrjen e serbëve dhe një përpjekje për të sjellë në pushtet ata që përbëjnë 2% të popullsisë në zonat ku 98% janë serbë”, tha Jevtiq.
I pyetur nëse pret ndonjë incident apo trazira të dielën gjatë zgjedhjeve, Jevtiq tha se do të bëjnë gjithçka për të ruajtur paqen dhe të mos reagojnë në asnjë mënyrë ndaj provokimeve të mundshme.
“Nëse dikush me të vërtetë do të dëshironte të shmangte një situatë të tensionuar, do t’i shtynte ato zgjedhje, do të kishte ndërmarrë hapat që do të siguronin paqen në përputhje me kërkesat e Listës Serbe dhe konkluzionet nga Rashka, por këtu është shumë e qartë se, mbi të gjitha Albin Kurti nuk dëshiron ta qetësojë situatën”, tha Jevtiq për televizionin Prava.
Kujtojmë se zgjedhjet në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveqan ku shumicë janë populate serbe, do të mbahet të dielen më 23 prill.
Serbët nga veriu i Kosovës, të cilët në nëntor u larguan nga institucionet e Prishtinës, policia dhe gjyqësori, deklaruan se nuk do të marrin pjesë në ato zgjedhje për shkak se kushtet që ata i vendosën kur u larguan nga institucionet, pra tërheqja e policisë së Kosovës nga veriu dhe formimi i Bashkimit të Komunave Serbe, nuk u plotësuan./InLajmi/