Psikologu i njohur kosovar Ylli Avdijaj këtë javë në një intervistë ekskluzive për gazetën InLajmi flet për fiskimin.
Se çfarë është fiksimi, si mund të trajtohet dhe sa janë të informuar njerëzit rreth këtij çrregullimi do të kuptoni nga intervista e më poshtme.
InLajmi: Cilat janë disa nga rrethanat që e bëjnë një person të jetë i fiksuar?
Ylli Avdijaj: Fiksimi sipas psikoanalistëve nënkupton: kur dëshira e dikujt lidhet me një objekt dëshire të lidhur me një fazë më të hershme të zhvillimit psikoseksual të dikujt. Psh: sipas Frojdit, nëse një fëmijë ka probleme gjatë procesit të shkëputjes nga gjiri i nênës, ai mund të zhvillojë një fiksim oral. Ai sugjeronte se një gjë e tillë mund të rezultojë në fiksime si: kafshimi i thonjve, pirja e duhanit, përtypja e çamçakëzëve dhe pirja e tepërt e alkoolit etj.
Fiksimi është një proces i pavetëdijshëm i nxitur nga dëshira për të përballuar stresin emocional. Po ashtu është një lloj mekanizmi mbrojtës i papjekur i cili tenton që ta ruaj individin nga një përjetim i një gjendjeje emocionale të papërballueshme.
Fiksimet zakonisht janë simptoma që tregojnë se ankthi është prezent. Ankthi është një emocion që e ndjen kur shqetësohesh për diçka, me ç’rasr trupi tensionohet dhe mendja fiksohet në gjënë për të cilën jeni të shqetësuar. Dhe kjo, mund të vështirësojë përqendrimin në ndonjë gjë tjetër.
InLajmi: Sipas jush sa janë të informuar njerëzit që fiksimi është çrregullim psikologjik?
Ylli Avdijaj: Për aq sa kemi kontakte me njerëz, qoftë nga jeta e përditshme qoftë nga puna praktike në psikoterapi, vërejmë se njohurit në lidhje me fiksimin janë shumë të varfëra.
Zakonisht ajo që më së shpeshti vërehet janë simptomat e ankthit dhe manifestimi i tyre si shqetësime mirëpo jo edhe prejardhje dhe arsyeja. Dhe padyshim se vetdijesimi dhe zbërthimi në të kuptuarit e fiksimeve ndodh gjatë procesit të trajtimit në psikoterapi.
InLajmi: Cilat janë disa nga karakteristikat e një personi që vuan nga fiksimi?
Ylli Avdijaj: Personat të cilët vuajn nga çrregullimet e ankthit kryesisht manifestohen me fiksime nga me të ndryshmet si psh: fiksime në mendime (çrregullime obsesive), fiksime në sjellje si veprime, rituale, fiksime të pastrimit, fiksime emocionale, fiksime religjioze, fiksime në të ushqyer, fiksime mbi imazhin e trupit etj.
InLajmi: Nëse një individ fillon ta dallojë që ka një lloje të tillë çrregullimi, cilët hapa duhet ti ndërmarrë?
Ylli Avdijaj: Personat të cilët vërejnë se po përballen me fiksime të caktuara atëher hapi i parë që duhet ndërmarrur është që të vizitohet nga një profesionist i shëndetit mendor, qoftë ai psikiatër, psikolog klinik apo psikoterapist.
InLajmi: Mirëpo nëse personi nuk e dallon dhe kjo dukuri vërehet nga familja apo rrethi, cilat veprime duhet të merren nga ata?
Ylli Avdijaj: Familjarët duhet të bisedojnë me personin në fjalë në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe ta këshillojnë që të konsultohet me ndonjë profesionist të shëndetit mendor. Nuk duhet ta detyrojnë apo të ndërmarrin hapa konkret pa vullnetin e personit, sepse kjo çasje ka shumë rëndësi që personi të pranoj më lehtë që t’i nënshtrohet një trajtimi psikoterapeutik apo është psikiatrik nëse është e nevojshme.
InLajmi: Nëse ky çrregullim nuk trajtohet me kohë a ka mundësi të përfundoj me pasoja për personin?
Ylli Avdijaj: Sigurisht se çdo çrregullim i ka fillesat kur paraqitet me simptomatologji minimale, mirëpo nëse nuk fillon të trajtohet me kohë atëherë gjasat janë shumë të mëdha që ato shqetësime të rriten dhe të bëhen çrregullime serioze. Libona Gegaj/ InLajmi/