Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e të enjtes në Kuvendin e Kosovës ka bërë të ditur se projekti për ndërtimin e banesave për qifte të reja, do të nis këtë vit.
Sipas Kurtit, projekti i ndërtimit të 4 mijë banesave për qiftet e reja, kap shumën e afro 200 000.000 eurove, ndërsa ka thënë se tashmë është bërë studimi i fizibilitetit.
Por, projektin qeveritar po e kundërshtojnë bizneset private të ndërtimit.
Kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, Faton Hoxha, ka thënë se shteti po ju bëhet konkurrent.
“As një njoftim rreth kësaj pune nuk e kemi. Zero jam i informuar. Ne e kemi kundërshtu atë punë pasi që shteti po don me na u bo konkurrent”, ka thënë Hoxha.
Ai ka thënë se ka mënyra të tjera për të zgjedhur çështjen e banimit për qiftet e reja.
“Ka mënyra të tjera me zgjedh atë farë punë, po kta po punojnë me kry t’vet. Ne nuk e dimë në çfarë forme apo qysh kanë mendu me realizu atë farë pune. Nuk jemi konsultu ose diskutu kurrgjë”, ka deklaruar Hoxha.
Tutje, ai është shprehur skeptik nëse Kurti do ta realizojë premtimin e tij që e kishte bërë gjatë fushatës zgjedhore.
“Është projekt goxha i madh nëse bëhet. Vështirë që realizohet, problem që mund të realizohet. Me e nis qitash edhe është problem, se lëre ta përfundojnë deri në fund të mandatit”, ka deklaruar Hoxha.
Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje në programin për zgjedhjet e vitit 2021 kishte premtuar ndërtimin e 4.000 banesave të reja, përfitues të së cilave do të ishin “çiftet e reja, gratë kryefamiljare, por edhe shërbyesit publikë si arsimtarët, infermierët, policët, zjarrfikësit apo edhe administrata publike”, shkruan lajmi.net.
Ndërkaq, Kurti ka deklaruar se i njëjti projekt do të kapte shumën prej 200 milionë eurove, ndërsa ka thënë se përgjigje pozitive për projektin tashmë kanë dhënë Komuna e Prishtinës, Pejës dhe Gjilanit.