Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit Derek Chollet, ka bërë të ditur se ka biseduar këtë të martë me kryeministrin kosovar, Albin Kurtin.
Chollet tregoi se i ka kërkuar Kurtit që Kosova ta pranojë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Fola me Albin Kurtin sot për të diskutuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për t’i kërkuar Kosovës që ta pranojë atë. Një temë kryesore ishte partneriteti ynë dhe synimi i përbashkët për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, tha ai.
Chollet po ashtu ka theksuar gjatë diskutimit me Kurtin, edhe nevojën që zyrtarët serbë të Kosovës, të kthehen në institucione, shkruan KlanKosova.
”Ne diskutuam gjithashtu rëndësinë e karakterit multietnik të Kosovës dhe ecjen përpara me diskutimet e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në kontekstin e Dialogut dhe nevojën që zyrtarët serbë të Kosovës të kthehen në postet e tyre”.