Për dëshirën apo pasionin për aktrimin, përzgjedhjen për një ndër rolet kryesore, momentet më të bukura, shfaqjet dhe planet për të ardhmen, flet në një intervistë ekskluzive për InLajmin, aktori i filmit “Illyricvm” Labeat Bytyçi.
InLajmi: Kur ka lindur dëshira për t’u marrë me aktrimin, çfarë ju shtyu të ndiqni aktrimin si karrierë?
Labeat Bytyçi: Dëshirën dhe pasionin për artin në përgjithësi e kam pasur qysh prej kur kam qenë fëmijë. Në shkollën fillore ku edhe kam nisur hapat e parë sa i përket aktrimit, duke u marrë me poezi dhe skeçe te ndryshme.
InLajmi: Si u përzgjodhët për një ndër rolet kryesore në filmin “Illyricvm”?
Labeat Bytyçi: Për filmim “Illyricvm” ka qenë një audicion i hapur ku kam aplikuar, pastaj më kanë ftuar për fazën e dytë dhe të tretë të aducionit, pastaj aty kam pasur takime edhe me regjisorin Simon Bogojević Narath, co-producetin Fatmir Spahiu dhe me disa pjesëtarë të tjerë të ekipes, ku edhe pata mundësi të fitoja rolin.
InLajmi: Cili ishte kujtimi apo momenti më i bukur gjatë xhirimeve të filmit “Illyricvm”?
Labeat Bytyçi: Në film ka momente shumë të bukura, ndonjëherë edhe qerasharake. Njëri ndër momentet më funny ka qenë, kur në fund të dites së xhirimit, gjatë hyrjes për në Kullën e Vrojtimit më kanë hedhur ujë, pasi ishte si zakon për aktorët e rinj, të cilët e kanë eksperiencën e tyre të parë. Uji ishte shumë i ftohtë, mirëpo ishte diçka e lezetshme, pasi edhe temperaturat ishin të larta.
InLajmi: Nga të gjitha shfaqjet që keni luajtur në teatër, a do ta veçonit njërën prej tyre që ju ka falur emocione të forta gjatë aktrimit?
Labeat Bytyçi: Si shfaqjet ashtu edhe filmat vështirë t’i ndash, për shkak se në të gjitha është puna dhe perkushtimi ynë që i bëjmë, mirëpo në këtë rast do ta veçoja shfaqjen “Andorra”.
InLajmi: Cilët janë aktorët apo aktoret tuaja të preferuara që ju frymëzojnë vazhdimisht?
Labeat Bytyçi: Frymëzimin më të madh e gjej kryesisht në njerëzit, te cilët janë të suksesshëm në jetë dhe në veprimtaritë e tyre, në filma, libra, shfaqje të ndryshme. Ndërsa sa i perket aktoreve do të kisha zgjedhur Marlon Brando.
InLajmi: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen, a keni planfikuar të jeni pjesë e ndonjë filmi së shpejti apo do të vazhdoni me shfaqjet në teater?
Labeat Bytyçi: Planet për të ardhmen asnjëherë nuk ndalen. Po, jam në bisedime për disa projekte të ndryshme që besoj dhe shpresoj që të realizohen gjatë këtij viti. Mirëpo, perderisa nuk ka diçka konkrete, nuk kisha dashur të zbuloj dicka. Shqipe Vishaj /InLajmi/