Këshilli Prokurorial i Kosovës kundërshton deklaratën e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me, siç thotë ajo, “mosvullnetin e as interesin për trajtimin serioz të krimeve të luftës nga sistemi prokurorial i Kosovës me në krye ish-kryeprokurorin Lumezi”, përcjell InLajmi.
Sipas tyre deklarata që ka lëshuar ministrja Haxhiu në lidhje me mospunën e ish-kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi është plotësisht e pavërtetë pasi puna është bërë ashtu siq duhej të bëhej.
“Deklarata e Ministres Haxhiu nuk është e vërtetë, sepse Këshilli Prokurorial i Kosovës ka caktuar 4 prokurorë në Departamentin për Krime të Luftës të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Për të mbështetur këtë departament, po ashtu, janë caktuar edhe 6 bashkëpunëtorë profesionalë dhe 2 zyrtarë ligjorë”, thuhet në njoftimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.
KPK janë shprehur të bindur së ministrja po fliste gjëra të dhe kjo sipas tyre dëshmohet lehtë duke i treguar hapat konkret që janë marrë asokohe e që ata janë: 72 urdhërarreste ndërkombëtare për të dyshuar për krime lufte e shumë veprime të tjera që i kanë rënditur njëra pas tjetrës.
“E pavërteta e thënë nga Haxhiu është e dëshmuar lehtë, me marrjen e mandatit të ish-Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, janë marrë veprime konkrete si: janë lëshuar 72 urdhërarreste ndërkombëtare për arrestimin e të dyshuarve për krime lufte, janë ndërmarrë veprime konkrete hetimore në drejtim të zbulimit të kryesve të veprave penale dhe kundër urdhërdhënësve, janë ngritur dhjetëra aktakuza, është përgatitur baza e të dhënave në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për rastet e krimeve të luftës dhe është harmonizuar kjo databazë me atë të Policisë së Kosovës. Me iniciativën e ish- Kryeprokurorit Lumezi është përgatitur dhe miratuar Strategjia për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës. Këto dhe shumë veprime të tjera janë ndërmarrë, janë duke u ndërmarrë në baza ditore për hetimet e krimeve të luftës në Kosovë”, ishin fjalët e tyre.
Këshilli Prokurorial i Kosovës vlerëson lartë angazhimin dhe gatishmërinë profesionale të ish-Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, në forcimin e Prokurorit të Shtetit si një institucioni i qëndrueshëm dhe i gatshëm për t’u ballafaquar me rastet me të rënda në Republikën e Kosovës, të cilat deri në vitin 2015 ishin në kompetencë të EULEX-it. Prandaj, çfarëdo tendencë për të mos njohur të arriturat institucionale nënkupton margjinalizim të të arriturave shtetërore, u shprehen nga Këshilli Prokurorial i Kosovës./InLajmi/