Gjatë ditës së mërkurë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Kosovës i janë tërhequr 9 njohje të reja, përcjell InLajmi.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme, e cila mohoi se nuk ka asnjë njoftim se këto 9 shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës.
Nga ministria bëjnë të ditur se ky pretendim i Vuçiqit nuk është vërtetuar edhe pas bisedave me përfaqësues në nivele të ndryshme të këtyre shteteve.
Postimi i plotë nga Ministria e Punëve të Jashtme:
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, njofton që nuk ka ASNJË njoftim në MPJD dhe as në misionet e Republikës së Kosovës, rreth pretendimeve të djeshme të presidentit serb se disa shtete paskan tërhequr njohjen.
Një pretendim i tillë nuk është vërtetuar as pas bisedave me përfaqësues në nivele të ndryshme të këtyre shteteve, por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm të vendit tonë.
Çështjet e hapura mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë zgjidhen me dialog dhe jo me kampanja destruktive mediale.
Serbia duhet që urgjentisht të heqë dorë nga sulmet agresive ndaj Kosovës dhe sovranitetit të saj dhe t’i kthehet tryezës së negociatave me në qendër njohjen e ndërsjelltë. /InLajmi/