SHBA dhe BE po insistojnë vazhdimisht në implementimin e të gjitha marrëveshjeve në dialog dhe zbatimin e tyre plotësisht dhe pa vonesa, e me këtë edhe themelimin e Asociacionit, i cili bie ndesh me qëndrimet e kryministrit të vendit Albin Kurtit, shkruan InLajmi.
Javë më parë, kryeministri Kurti deklaroi se nuk është prioritet i askujt, madje as i serbëve lokal që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Ndryshe, pas tensionimit të situatës në veri ishte Serbia e cila kërkoi kompromise dhe më kryesoren Asociacionin, por kjo duket sikur nuk po përfillet aspak nga Qeveria e Kosovës, por që ra në “vesh” të ndërkombëtarëve, të cilët i bën përsëri thirrje Kosovës që të zbatojë këtë marrëveshje.
Analisti politik Blerim Gashi, në një deklaratë për InLajmin vlerëson se kryeministri Kurti duhet të vendosë e t’i thotë “po” Asociacionit, por me me kushtin që të mos shkelen parimet themelore kushtetuese.
Gashi i bën thirrje Qeverisë së Kosovës për kujdes të shtuar gjatë themelimit të Asociacionit, pasi siç thekson ai, kjo mund të na kushtojë deri në mosfunksionalitet të shtetit.
“Në këtë pikë mendoj se kryeministri Kurti duhet të vendosë e t’i thotë po Asociacionit me kushtin që ky Asociacion përmes riaranzhimeve ligjore në statutin e tij të mos shkelë mbi parimet themelore kushtetuese sikurse jane regullimi unitar i shtetit dhe parimi i përgjegjësisë vertikale të komunave ndaj pushtetit qendror. Andaj ka modele të mjaftueshme evropiane se si mund të rregullohet nje Asociacion, por nuk mundet dhe nuk mendoj që Kurti duhet të ngutet të pranojë Asociacionin monoetnik me përgjegjësi, të cilat mund ta sfidojnë deri në mosfunksionalitet të shtetit”, tha ai.
Tutje analisti Gashi thotë se duhet shfrytëzuar momentumi i krijuar pas plasimit të planit franko-gjerman dhe sugjeron që kjo situatë të trajtohet me seriozitet.
“Momentumi i krijuar pas plasimit te plani franko-gjerman duhet shfrytëzuar me seriozitetin që kërkon situata e re”, tha ai për InLajmin.
Në fund, Gashi thekson se veprimet e matura të Qeverisë së Kosovës kanë demaskuar qëllimet e vërteta të Serbisë, e që tashmë janë evidente. /InLajmi/