Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi reagoi pas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, i cili tregon se ka sërish rritje të çmimeve, përcjell InLajmi.
Zëdhënësja e LDK-së, akuzoi qeverinë që nuk po ndërmerr ndonjë masë konkrete për zbutjen e inflacionit.
Sipas Halimit qytetarët e Kosovës vazhdojnë ta vuajnë mbi kurrizin e tyre inflacionin ndër më të lartit në Evropë.
Tutje ajo tha se pushtetarët vazhdojnë të merren me tema fiktive.
Postim i plotë i saj:
Raporti i sotëm i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tregon sërish shifra krize; e me numra të matshëm, se në vendin tonë nuk ka rënie të çmimeve të produkteve bazike. Në fakt, shtrenjtimi i tyre po vazhdon pandalshëm, si shkak i një qeverie spektatore, që nuk ndërmerr ndonjë masë konkrete—asnjë hap të matshëm.
Patatja është shtrenjtuar për 21% për vetëm katër ditë; ndërsa sheqeri për 17 cent më shumë. Kafeja dhe çaji janë shtrenjtuar për 80 cent, përkatësisht 1 euro e 10 cent për kilogram. Një litër ujë kushton 11% më shtrenjtë; ndërsa benzina 5 cent më shumë për litër. Rritje ka edhe në produkte të bulmetit dhe të mishit.
Qytetarët e Kosovës vazhdojnë ta vuajnë mbi kurrizin e tyre inflacionin ndër më të lartit në Evropë. Ndërsa pushtetarët merren me tema fiktive. /InLajmi/