Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi këtë të merkurë foli rreth 4-vjetorit të votimit të projekligjeve për transformimin e FSK-së në Ushtri, duke e cilësuar këtë si një nga proceset më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës, përcjell InLajmi.
Krasniqi tha se Ushtria e Kosovës ka përvetësuar standardet e NATO-s, si dhe zotëron e dëshmon nivel të lartë të përgatitjes profesionale dhe është e gatshme për çdo mision ushtarak, duke e bërë krenar secilin prej kosovarëve.
Postim i plotë i tij:
“Prej sot gatitu”, është fraza kumbuese që jehoi katër vite më parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për të shënuar themelimin e Ushtrisë së Kosovës, si një nga proceset më të rëndësishme të determinimit të shtetësisë dhe sovranitetit të vendit tonë.
Krenar që më 14 dhjetor të vitit 2018, si deputetë të Kuvendit të Kosovës, votuam masivisht tri ligjet përkatëse duke i dhënë FSK-së mandatin dhe kompetencat që ajo dhe tërë Kosova i meritojnë.
Ushtria e Kosovës, e cila ka përvetësuar standardet e NATO-s, si dhe zotëron e dëshmon nivel të lartë të përgatitjes profesionale, sot është e gatshme për çdo mision ushtarak, duke e bërë krenar secilin prej nesh. /InLajmi/