Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është takuar me qytetarë të Pejës, me të cilët diskutoi për programin e ri të LDK-së , përcjell InLajmi.
Abdixhiku theksoi se gjatë takimeve që ka mbajtur me qytetarë në çdo anë të Kosovës, ka vërejtur se të gjithë flasin për gjendjen e vështirë ekonomike në vend, vështirësitë e tyre rreth përballueshmërisë me çmime, për mungesën e dorës së shtetit në investime kapitale, për kriza të vazhdueshme në arsim e shëndetësi; siç dhe flasin për dimrin e vështirë e krizën energjetike që po afron.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për një qeveri që nuk ankohet, nuk propagandon, nuk arsyetohet, por një që ndryshon vendin dhe jetën e familjeve kosovare

Tutje Abdixhiku premtoi se LDK do të jetë jo vetëm zë i njerëzve të lënë pas sot në Kosovë, por dhe adresë e ndryshimeve të domosdoshme në vend.
Postimi i plotë i tij:

Këtë të shtunë qëndruam në Pejë. Aty vazhduam ciklin e takimeve me struktura e qytetarë.
Gjatë javëve të shkuara kam takuar qytetarë në çdo anë të Kosovës. Do të vazhdoj t’i takoj e flasë me ta dhe në javët e muajt në vijim. Pavarësisht qyteteve, anëve e regjioneve, problemet e hallet e tyre janë gjithnjë të njëjta. Flasin për gjendjen e vështirë ekonomike në vend, vështirësitë e tyre rreth përballueshmërisë me çmime, për mungesën e dorës së shtetit në investime kapitale, për kriza të vazhdueshme në arsim e shëndetësi; siç dhe flasin për dimrin e vështirë e krizën energjetike që po afron.
Kosova ka nevojë për Qeveri që nuk ankohet, nuk propagandon, nuk arsyetohet – por një që ndryshon njëmendtë vendin dhe jetën e familjeve kosovare. LDK do të jetë jo vetëm zë i njerëzve të lënë pas sot në Kosovë, por dhe adresë e ndryshimeve të domosdoshme në vend. /InLajmi/