Tashmë po bëhen 10 ditë, që kur ndodhi takimi i fundit, mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij nga Lidhja Demokratike, Isa Mustafa.
Ndonëse ishte paralajmëruar që sot të ketë takim mes tyre, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë.
Burime të Gazeta Blic, brenda VV-së, kanë konfirmuar se as gjatë ditës së sotme, nuk do të ketë takim mes Kurtit dhe Mustafës.
“S’do të ketë takim as sot. Nuk dihet se kur të ndodhë takimi i radhës, por një gjë është e sigurtë, që sot s’ka takim”, ka thënë ky burim.
Ditë më parë zyrtarë nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se në momentin që kreu i partisë, Albin Kurti, të kthehet nga Gjermania do t’i dërgohet ftesa për takim kreut të LDK-së.
Negociatat mes këtyre dy partive ende janë duke vazhduar, teksa kanë kaluar më shumë se një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Partia e Kurtit doli e para në zgjedhje, ku rrjedhimisht do ta ketë mundësinë që ta formojë qeverinë e ardhshme, transmeton gazeta Blic.
Në vendin e dytë ka dalur LDK-ja e Isa Mustafës, i cili që një kohë të gjatë është duke synuar që ta arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje.
Kërkesa kryesore e LDK-së drejtuar partisë së parë të dalë nga zgjedhjet, gjatë këtyre javëve, ka qenë lidhur me postin e presidentit, gjegjësisht që kjo pozitë t’i përkasë subjektit i cili aktualisht drejtohet nga Isa Mustafa.
Ambasadorë të vendeve perëndimore, e veçmas shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Natalyia Apostolova, i kanë dërguar porosi të qartë, Kurtit dhe Mustafës, që sa më parë të gjejnë zgjidhje dhe të formohet institucionet e reja të Republikës së Kosovës.