Oleksandr Usyk e ka mposhtur për herë të 2-të Anthony Joshuan, duke i mbrojtur kështu titujt e botës në peshën e rëndë në boks profesionist në versionet WBA, IBF, WBO dhe IBO. Sikur në meçin e parë në Londër, edhe kësaj radhe lëvizjet dhe teknika e Usykut nuk gjetën përgjigje nga Joshua.
Meçi i zhvilluar të shtunën mbrëma në Jeddah të Arabisë Saudite përfundoi me fitore me pikë për Usykun, me vendim të ndarë. Derisa Joshua mbajti mesin e ringut dhe përqendrohej në goditje të fuqishme, kryesisht në trup. Usyk dha dukshëm më tepër goditje dhe lëvizte vazhdimisht nëpër ring.
Joshua rundin më të mirë e pati rundin e 9-të kur e vuri në vështirësi ukrainasin Usyk. Mirëpo, në rundin e 10 Usyk u kundërpërgjigj dhe i dha goditje të shumta britanikut, shkruan Gazeta Blic.
Për Usykun është fitorja e 20-të në boksin profesionist nga po aq meçe, ndërsa Joshua ka pësuar humbjen e 3-të në karrierën si profesionist, karshi 24 fitoreve. Joshua për revanshin me Usykun kishte ndërruar stafin e trajnerëve, por nuk arriti të përballonte ukrainasin.