Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk e ka ndërmend të jetë pjesë e diskutime për krijimin e një qeverie të re, pasi që dy partitë politike në vend Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e kanë thelluar mosmarrëveshjen me njëra tjetrën.
Albena Reshitaj ka thënë se partia e saj as që e ka diskuar këtë opsion. Ajo ka shtuar se partia e saj është angazhuar që të reformohet nga brenda.
“Pas rezultateve te zgjedhjeve deri tani asnjëherë nuk e kemi diskutuar në nivel të organeve brenda partisë këtë çështje. Jemi duke punuar ne riorganizimin e brendshëm të partisë dhe jemi fokusuar të jemi një opozitë e fortë dhe konstruktive”, ka thënë Reshitaj.
Sipas Reshitaj, kjo shtyerje e bisedimeve është e pakuptimit. Ajo ka thënë se dëshiron të besojë se kjo shtyerje nuk është një trik.
“Për ne shtyerja dhe mos arritja e marrëveshjes pas kaq negociatave mes dy partive me me shume vota ne krijimin e institucioneve janë te pakuptimta dhe jane ne dem te Kosovës si shtet. Dua te besoj qe këto shtyrje nuk janë trik për te mos u përballë me temat e renda qe janë duke pritur vendin tone. Prolongimi nuk është zgjidhje e sidomos ne këtë forme duke krijuar vakum institucional”, ka thënë Reshitaj.
Kujtojmë se VV-ja dhe LDK-ja si dy partitë e para në zgjedhje, kanë një muaj kohë pas certifikimit të rezultatit që të nënshkruajnë marrëveshje dhe të formohet Qeveria e re, shkruan Insajderi.
Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda 30 ditësh nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.