Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka zhvilluar homazhe në kompleksin e varrezave në Rezallë të Skënderajt, raporton InLajmi.
Këto homazhe u bënë në nderim të 98 martirëve që u masakruan nga forcat serbe, ndërsa Konjufca tha se këtë ditë më të rëndë po e bën fakti se ende nuk ka drejtësi për këto masakra.
Tutje ai ka thënë së duhet t”i tregohet botës së në Kosovë është kryer gjenocid.
“Jemi këtu për të bërë homazhe për 98 martirët të cilët u masakruan prej forcave pushtuese të ushtrisë së policisë dhe paramilitarëve të Serbisë 23 vite më parë. Ajo që e bënë edhe më të rëndë këtë masakrën ashtu edhe shumë masakra të gjenocidit të Serbisë është fakti që plagët janë ende të hapura. Para 6 muajve ne i rivarrosëm këtu edhe të tjerë trupa të gjetur të këtyre martirëve të cilët ende po mbahen të fshehur në plotë vende brenda Serbisë”, tha Konjufca.
Kryekuvendari është shprehur se shteti i Kosovës nuk do të ndalët deri në zbardhjen e rasteve, e derisa shteti serb të mbajë përgjegjësi për këto masakra të kryera mbi qytetarët e Kosovës.
Sipas tij pa gjakun e të rënëve Kosova nuk do të bëhej shtet e nuk do të gëzonte lirinë.
“Ne nuk do të ndalemi. Do t’ia tregojmë botës dhe ta argumentojmë dhe më mirë gjenocidin që ka ndodhur derisa Serbia të mbahet përgjegjëse, e të gjenden e të dënohen të gjithë ata kriminelë të cilët janë kryes të drejtpërdrejt të masakrës së Rezallës dhe të qindra masakrave të tjera në Kosovë. lavdi martirëve të cilët e dhanë jetën për lirinë e Kosovës sepse pa gjakun e derdhur të tyre, pa sakrificën e popullit të Kosovës nuk do të kishte mund të vinte as liria të cilën e kemi sot e as shteti i Kosovës prandaj lavdia është e tyre sepse kjo sakrificë qëndron fuqishëm pikërisht në themelet e shtetit tonë të cilin ne do t’ia lëmë si trashëgimin më të rëndësishëm brezave që do të vijnë”, ka thënë Konjufca. /InLajmi/