Klubi anglez, Chelsea ka ardhur me një deklaratë zyrtare pas lajmit të kësaj të enjte, se Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka vendosur sanksione ndaj pronarit të klubit të futbollit Chelsea, Roman Abramovich, duke ia ngrirë pasurinë.
Miliarderi Abramovich është njëri nga 7 oligarkët rusë, pasuritë e të cilëve janë ngrirë nga autoritetet shtetërore britanike.
Në një dokument të Thesarit të Mbretërisë së Bashkuar të postuar në internet, Abramovich përshkruhet si një “oligark pro-Kremlinit” që ka lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin.
Kjo ka bërë që tifozët e Bluve të jenë të turbullt në lidhje me klubin e tyre të zemrës dhe vetëm disa orë më vonë drejtuesit e Chelseat kanë ardhur me një deklaratë zyrtare për të sqaruar situatën.
Klubi i futbollit Chelsea është informuar se pronari i tyre Roman Abramovich është sanksionuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, transmeton Telegrafi.
“Në bazë të pronësisë së tij 100% të Chelsea FC dhe subjekteve të lidhura me to, Chelsea FC normalisht do t’i nënshtrohej të njëjtit regjim sanksionesh si Abramovich. Megjithatë, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka lëshuar një licencë të përgjithshme që lejon Chelsea FC të vazhdojë aktivitete të caktuara.Ne do të përmbushim sot ndeshjet e ekipit tonë për meshkuj dhe femra kundër Norwich dhe West Ham, dhe synojmë të përfshihemi në diskutime me Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me fushëveprimin e licencës. Kjo do të përfshijë kërkimin e lejes për ndryshimin e licencës në mënyrë që të lejohet klubi të funksionojë sa më normalisht të jetë e mundur.Ne do të kërkojmë gjithashtu udhëzime nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për ndikimin e këtyre masave në Fondacionin Chelsea dhe punën e tij të rëndësishme në komunitetet tona”, thuhet në njoftim.