Njëri ndër bashkëthemeluesit e LDK-së, Rexhep Gjergji, ka thënë se e gjithë partia e LDK-së e dinte se liria do të vinte vetëm me anë të luftës dhe se lëvizjes paqësore me kalimin e kohës do i vinte fundi.
Gjergji zbulon se kur kishin filluar sulmet e para mbi policinë serbe në Kosovë, faji u lihej vetë Serbisë për shkak të ndërkombëtarëve.
“Organizimi i luftës së armatosur kishte filluar që prej 91’ës. Këtë e dinë. Ishim në dijeni edhe ne. Por rezistenca kishte filluar shumë më herët. Rojet e lagjeve, organizimi i mbrojtjes në komunitete etj, të gjitha këto ishim në dijeni. Në organizimin e mbrojtjes në Podujevë isha përgjegjës vetë unë”, thotë ai në emisionin Pressing në T7 .
“Disa sulme vetëm kishin ndodhur. UÇK nuk kishte ekzistuar vonë dhe mbrojtja bëhej sporadikisht. LDK e dinte për aksionet kundër forcave serbe, ia linim fajin Beogradit, për shkak të ndërkombëtarëve. Duhej që Serbinë ta shfaqnim sa më keq”, shton ai.