Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se mbledhja e Kryesisë e paraparë të mbahet këtë të hënë ka dështuar të mbahet pasi që shefi i Grupit Parlamentarë të LDK-së, Arben Gashi ka kërcënuar dhe ka përdorur fjalë banale, debat ky i pasuar për shkak të shpenzimeve të deputetëve për karburante, raporton InLajmi.
“Mbledhja e sotme nuk do të mbahet për shkak të kërcënimeve të shefit të LDK-së, Arben Gashit drejtuar stafit tim. Kjo gjuhë është e papranueshme. Shprehjet që i përdor janë të papranueshme. Këto sjelle nuk duhet t’i pranojmë. Ishte skandaloze gjuha e tillë sepse është shumë ofenduese me sharje familjare. Ka pasur debat lidhur me shpenzimet e deputetëve”,tha Konjufca.
Më tej Konjufca tha se ky reagim i Gashit ka ardhur pas reagimit të shefit të Kabinetit të tij, i cili në shkrimin e tij për shpenzimet e karburanteve nuk ka përdorur asnjë emër.
“Emrat që kanë dalë kanë qenë prej mediave dhe jo nga shefi i kabinetit. Pati sharje që nuk mund t’i përmendi këtu”,tha Konjufca më tej.
Ndryshe, Gashi ka reaguar dje lidhur me shpenzimet për karburante duke thënë se në atë kohë s’e kishte ditur se po i mbuloheshin shpenzimet e udhëtimit.
Ai tha se në mandatin e tij të 2-të e ka njoftuar Kuvendin se po jetonte në Prishtinë. E gjatë 2 viteve të mandatit të tij të parë si deputet i Kuvendit, Gashi kishte përfituar mbi 10.000 euro benificione nga Kuvendi për udhëtim./InLajmi/