Nga Neritan Kolgjini
Dramaturgu i njohur shqiptar, ka botuar dhe vënë në skenë, një dramë të titulluar “Një varr për majorin e Mbretit”. Këtë krijim ai ka dashur ta promovojë edhe në teatrin e Tiranës, por këtu, për arsye të “mosarsyes”, ai nuk ia ka dalë mbanë. Sipas njoftimeve që kemi, një prej justifikimeve ka qenë fakti se drama “ishte me shumë personazhe”, pra kërkonte shumë aktorë, pra shumë shpenzime, e së fundi, shumë para. Në të vërtetë, një arsye që kemi të drejtë ta themi, është fakti që kjo dramë merr shtysë nga një ngjarje reale e ndodhur në Shqipëri në fillim të ardhjes në pushtet të komunistëve me në krye “shokun” Enver, më 1944. Zbërthimi artistik që u bën krimeve të komunistëve kjo dramë, besojmë se është shkaku i vërtetë i mosvënies së saj në skenë, dhe për më tepër, edhe i heshtjes shurdhuese të mbajtur rreth saj.
Vetë autori Haqif Mulliqi, shkruan në faqe të parë të saj se motivet e kësaj drame janë të ndërtuara mbi një ngjarje autentike. Disa personazhe dhe dialogët e tyre janë të sajuar nga autori. Natyrisht, është krijim artistik. S’ka se si të jetë ndryshe. Por fakti që Mulliqi thekson në krye se është “ngjarje autentike…”, nënkupton edhe dialogë autentike, ndaj dhe të duket se në veprën e tij është dramatizuar një copë Shqipërie. Në fakt është dramatizuar një ngjarje fare tragjike. Tejet madje. Dënimi me vdekje i një majori të Xhandarmërisë Shqiptare të kohës së Mbretit Zog. Pa asnjë faj, pa kryer asnjë krim. Madje duke u dorëzuar vetë, si ushtarak, në organet e hetimit. Një krim absurd…
Por nëse ndokush do të kërkojë një linjë klasike të ngjarjes në këtë dramë, padyshim se do të zhgënjehet. Në dramë, autori Mulliqi, më shumë se me vetë majorin, gjyqin e tij farsë dhe dënimin, – pra vdekjen – merret me pasvdekjen. Jo jetën e tij në parajsë. (Ku e kanë vendin ata që japin jetën për atdheun). Jo… Ai merret me historinë e varrit të Majorit, më saktë me historinë e zhvendosjes së eshtrave të Majorit, sa në një varr e sa në një tjetër. E çuditshme që njeriu të mos gjejë prehje as në varr, por Shqipëria komuniste ka qenë vend i tillë.
Përtej natyrës njerëzore. Skena e fundit mbyllet me një zë që flet në sfond: Kjo ishte vetëm një histori e trishtuar, por Shqipëria është një vend i mbushur me aq shumë tregime të këtilla zhvarrimi dhe transferimi eshtrash, saqë të gjitha emocionet dhe përshtypjet e thella që shkaktoheshin në fillim prej tyre, sikur janë harxhuar tashmë. Genti (i biri i majorit – shën. im, N.K.) e di këtë. Së fundi në këtë moshë të thyer, ai vendosi t’i lërë mënjanë të gjitha ceremonitë dhe t’i ngrehë më në fund një varr të atit – Një varr për Majorin e Mbretit. Kjo mbyllje skenike flet vetë. Edhe sikur ta linim pa asnjë koment, për të shkruar rreth një drame, do të mjaftonte edhe kaq. Por nuk mundemi të rrimë këtu. Dhe shkaku është se ne e dimë kush është Majori i Mbretit, njohim personalisht edhe të birin, Gentin në dramë, madje-madje njohim gjithë rrethin e tij shoqëror e miqësor. Njohim të nipin e tij (majorit), rrimë përditë me të. E prandaj, nuk mund të ndalemi pa shkruar pakëz më gjatë rreth këtij krijimi artistik, dramatik, tragjik, me personazhe që i njohim në jetën tonë të përditshme. Sepse e kemi detyrim për shpirtin tonë, e kemi detyrim për ata legalistë që dhanë jetën duke thënë fjalët e fundit “Rroftë Shqipëria etnike, Rroftë Mbreti!” E kemi detyrim të shkruajmë për një vepër artistike ku zbërthehen makabritetet e kohës së komunizmit në Shqipëri.
Ja çfarë thotë Majori në dramë, në një dialog me një toger të bashkëdënuar si ai:
Togeri: A thua si do të na ekzekutojnë: do të na varin apo do të na pushkatojnë…
Majori: Thënë të drejtën, unë do të kisha dëshirë të më pushkatojnë…
Togeri: Përse?
Majori: E para se jam oficer dhe e dyta, po të na varin, meqë jam i katërti në listë nga të trembëdhjetët, mbase mund të shkëputet litari dhe do të mbetem të jetoj në këtë m… komunizme, në këtë fatkeqësi për Shqipërinë dhe shqiptarët…” (Mbyllet skena).
Pra, me këtë dialog mes ushtarakësh të dënuar me vdekje, mbyllet edhe historia jetësore e Majorit. Por vijon ajo e pasvdekjes. Historia e eshtrave. Me të cilën edhe nis drama. Edhe mbyllet. Dialogët e mprehta me hetuesinë komuniste, apo ato në shtabin e OKLL, janë thjesht ilustrime. Autori nuk është marrë shumë me këto. Të duket sikur kemi një përsëritje të motiveve të vjetra të baladave shqiptare të murimit, të besës së dhënë etj.. Autori përdor shpesh zhvendosjen në kohë. Sa në 44-45-ën, sa në post-90-ën, sa në zyra të shtetit post-komunist, sa në hetuesinë komuniste e në burgjet e tij. I shmanget vetëm jetës së përtejme dhe jo për shkak të pamundësisë së njerëzve për ta njohur atë e për ta perceptuar, por për shkak se jeta tokësore (në Shqipërinë komuniste) është shumë herë më e zorshme për t’u rrëfyer artistikisht sesa e përtejvarrit.
Me dy fjalë, le ta përmbledhim këtë histori tragjike, që edhe lexuesi ynë ta ketë më të qartë. Drama nis me dialogët mes disa varrmihësve, të cilët gjatë bisedës me Gentin, të birin e Majorit, shpalosin një pjesë të historisë së tij. Më pas linja e rrëfimit vijon me hetuesinë e Majorit. Më tej me odisenë e viktimave të komunizmit nëpër zyrat e shtetit, ku nuk i kuptonte kush dhe nuk u besonte kush kur thoshin se u ishin vrarë bijtë, vëllezërit, prindërit apo të tjerë të afërm. Disa skena nga shtabi i Legalistëve, pak skena familjare, ku e shoqja e majorit merr vesh gjëmën e ekzekutimit të tij. Dhe më tej, historia vazhdon me eshtrat, të cilat i biri, Genti, i zhvarros e zhvarros disa herë. Kjo është pjesa më thelbësore e dramës. Ka skena mjaft të forta, ku përzihen heroikja me tragjiken, dhimbja me humorin e zi. Dialogët vijojnë rrjedhshëm mes varrmihësve deri në skenën e parafundit ku Genti u thotë varrmihësve përse nuk kishte pranuar dekoratën “martir i demokracisë”:
Nuk doja që im atë të përdorej. Pastaj, ca të njohur më patën kërkuar që eshtrat e babait t’i çoja në një muze të ish të përndjekurve, por nuk pranova. Im atë ishte thjesht një monarkist. E tashti e kam kuptuar se vetëm kur të ktheheshin eshtrat e Ahmet Zogut, do t’ua jap edhe unë këto të babait tim. Për këtë madje dakordoi edhe Mbreti Lekë në një bisedë që kisha me Të, edhepse as Ai nuk e di se kush dhe kur do t’i lejojë që t’i kthejë eshtrat e Mbretit në Shqipëri… Është e çuditshme çështja e shqiptarëve dhe eshtrave që i sorollatim sa andej-këndej dhe s’mund t’u bëjmë vend në këtë tokë të shkretë…” Këtu mbyllet skena. Pastaj vjen mbyllja e dramës me fjalët «Prehu i qetë nëse mundesh, Ti o Majori i Mbretit të Shqipërisë! – nga Genti.
Nëse ndokush do të thoshte, epo, kështu janë dramat, do të gabonte. Pse? Sepse kjo është një ngjarje reale. Si krijim artistik, ka vetëm pak shtesa dhe vetëm emrat e ndryshëm nga ata realë. Dhe në këtë pikë, po u themi lexuesve tanë, që personazhet jetësorë të këtij krijimi artistik janë: Major Murat Basha, (Majori); dhe i biri i tij Akil Basha (Genti i dramës); nipi i tyre Murat Basha (i sotmi) është Nënkryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit. Dhe pasi njihesh me këtë dramë dhe me mjaft fakte jetësore rreth fatit të zi të Legalistëve, nuk mund të mos thuash një “ah” që nuk po mundemi të bëjmë pak më shumë për t’i thënë ato vuajtje reale që kanë duruar shqiptarët gjatë 50 viteve komunizëm. Të vjen të plasësh nga marazi kur sheh se gazetat e mediet e përditshme mbushen me lloj-lloj historish të shpikura e të shpifura të hierarkëve të komunizmit e të Sigurimit, e nuk thuhen disa të vërteta të thjeshta që kanë vërtet interes për njerëzit e për historinë e këtij vendi. Me sa duket komunizmi në Shqipëri vetëm ka pësuar një mutacion fizionomik, por persiston në forma të tjera të kamufluara. Ndërsa vepra të tilla si kjo e dramaturgut dhe artistit Mulliqi, janë vetëm disa kambana që të gjithë i dëgjojnë, megjithatë shumica i shmangen thirrjes së tyre. E pas leximit të kësaj drame, (nuk kemi pasur fatin ta shohim në skenë), njeriu ka mundësi të kuptojë më lehtë se çfarë tragjedish mban të groposura në barkun e vet kjo tokë./InLajmi