Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke mbajtur seancë të jashtëzakonshme lidhur me vendimin e Qeverisë për masat e emergjencës në furnizimin e energjisë, raporton InLajmi.
Gjatë kësaj seance, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se Kosova është bërë lajm në media ndërkombëtare për krizën e energjisë elektrike, sepse Qeveria, sipas tij, ka nisur të merret me të me 6 muaj vonesë.
Abdixhiku gjithashtu ka thënë se se kriza në Kosovë është më e veçantë nga ajo që i ka përfshirë vendet e rajonit dhe ato evropiane.
“Kosova është në krizë energjetike. Është në terr, reduktime, agregatë dhe qirinj. Aq krizë, saqë bëhemi lajm sërish – për të keq natyrisht – në mediat ndërkombëtare. E kur bëhesh lajm për të keq në mediat ndërkombëtare, do të thotë se kriza këtu është më e dalluar, më e veçantë”, tha Abdixhiku.
Ai tutje ka thënë se kryeministri u thotë qytetarëve se rryma në vend është e lirë si parapërgatitje për rritje të çmimit, pa ndonjë efekt lehtësues më pas.
“Ajo çfarë e diferencon sasinë e furnizimit në Evropë, është angazhimi i vetë qeverive, i vetë shtetit. Ato nuk janë spektatore”, tha ai.
Kryetari i LDK-së, ka bërë të ditur në Kuvend se qeveritë e vendeve evropiane janë marrë me temën e energjisë elektrike qysh në korrik të këtij viti.
“S’janë ankuar për kapacitete që s’i kanë, por kanë vepruar shpejt. Prandaj këto shtete tani i furnizojnë qytetarët e tyre me energji elektrike”, tha Abdixhiku. /InLajmi/