Kandidati për kryetar të Prishtinës, nga PDK-ja Uan Ismaili ka prekur edhe njëherë temën e transportit publik duke u zotuar se ta bëjë falas për qytetarët e Prishtinës, raporton InLajmi.
“Trafiku është ankthi ynë ditor i cili po na përcjellë tash e disa vjet rresht. Ky problem kërkon adresim të menjëhershëm, dhe zgjidhje të menduar mirë. Në programin tim ne e kemi zgjidhjen. Me mua si Kryetar të Komunës, Prishtina do të ketë transport publik FALAS”, ka thënë Ismaili.
Ai në një konferencë, është shprehur se kosto e transportit publik falas për qytetarët do ti kushtojë komunës rreth 15 milionë euro në vit, por sipas tij këto të hyra do të gjenerohen nga menaxhimi i parkingjeve që pritet të sjellin rreth 12 milionë euro, gati sa për të mbuluar shpenzimet e transportit falas.
“Krejt operatorët e transportit publik, do të futen në sistem të integruar dhe digjital të biletimit, me ç’rast të gjitha të hyrat në periudhën tranzitore do të mblidhen nga Komuna e Prishtinës. Në periudhë 2-vjeçare pas funksionalizimit të plotë të ‘Prishtina Parking’, dhe sistemit të integruar e digjital të biletimit për transport publik dhe parking në hapësira publike, Komuna e Prishtinës me anë të të hyrave që gjenerohen nga: Prishtina Parking, Hapësirat komerciale në vend pritje të busave, në busa brenda/jashtë dhe të hyrat tjera të ndërlidhura do të mbulojë në pjesë të madhe koston e ofrimit të shërbimit të transportit publik falas për të gjithë!”, ka përfunduar ai./InLajmi/