Ofrimi i shërbimit të internetit të përballueshëm dhe me shpejtësi të lartë për çdo amerikan do të ishte ekuivalent me projektin e viteve 1930 të qeverisë federale për elektrifikimin rural, thotë Presidenti Joe Biden.
“Krijoi bazën për një bum ekonomik masiv, të qëndrueshëm që do të pasonte Luftën e Dytë Botërore”, tha Presidenti Biden të martën në Wisconsin lidhur me planin Presidentit Franklin Roosevelt.
Interneti i shpejtë “nuk është një luks. Tani është domosdoshmëri, sikurse uji dhe energjia elektrike ”, tha presidenti gjatë fjalimit të tij të fundit jashtë kryeqytetit amerikan në përpjekjet për të nxitur miratimin e një pakete dypartiake 1.2 trilion dollarëshe për infrastrukturën.
Paketa ka për qëllim të rrisë punësimin e klasës së mesme duke krijuar “vende pune me pagesë të mirë, riparimin e rrugëve dhe urave”, tha Presidenti Biden në Shërbimin Komunal të Transportit në La Crosse të shtetit Uiskonsin.
Shtëpia e Bardhë thekson se 90% e vendeve të punës të krijuara nga shpenzimet për infrastrukturën mund të jenë për punonjësit pa arsim të lartë.
Paketa legjislative, e arritur përmes kompromisit, u negociua javën e kaluar me një grup prej 10 senatorësh të qendrës, pesë republikanë dhe pesë demokratë. Paketa përfshin investimin më të madh në trasnportin publik në histori, sipas Shtëpisë së Bardhë. Ajo gjithashtu ka për qëllim të ndërtojë një rrjet mbarëkombëtar për karikimin e automjeteve elektrike dhe të eliminojë tubacionet prej plumbi.
Një dokument i Shtëpisë së Bardhë thotë se paketa e rindërtimit është 4 herë më e madhe se investimi në infrastrukturë i miratuar pas recesionit të madh të viteve 2008-2009, dhe më i madhi që nga depresioni i viteve 1930, që u pasua nga paketa e shpenzimve të Presidentit Roosevelt, shkruan VOA.
Paketa përfshin investimin më të madh në shërbimet hekurudhore për pasagjerë që nga krijimi i sistemit Amtrak. Vetëm në Wisconsin, tha Shtëpia e Bardhë, paketa do të ndihmojë në riparimin e 979 urave dhe më shumë se 3,100 kilometra të autostradave në gjendje të keqe.