Ky panair është organizuar nga Qendra për Zhvillim të Karrierës – Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Kosovë dhe Aleancën Franceze në Prishtinë.
Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel, në fjalimin e saj theksoi se gjuha frënge është një aset për zhvillimin universitar dhe karrierës dhe kërkoi nga studentët e Universitetit të Prishtinës të shfrytëzojnë mundësitë për studime në Francë.
“Në Kosovë gjuha frënge është një aset për zhvillimin universitar dhe karrierës. Ftoj gjithë studentët të kontaktojnë Aleancën Franceze për tu informuar ofertat e studimeve franceze. Shfrytëzoni këtë ditë”, u shpreh ajo.
Diplomatja franceze gjithashtu potencoi se mundësitë që ofrohen janë të shumta mirëpo nuk shfrytëzohen sa duhet nga studentët.
Prorektorja për zhvillim dhe cilësi në Universitetin e Prishtinës, Merita Koçinaj-Berisha, theksoi se këso lloj aktivitetesh janë mundësi për zhvillime të reja të edukimit ndërkombëtar.
“Rritja e cilësisë dhe ndërtimi i urave me universitet ndërkombëtare është objektivi kryesor i UP-së në vazhdimësi. UP parasheh objektivat e veta siç është zhvillimi në karrierë që këto praktikat me tutje të zhvillohen në vendin tonë më pas. Konferenca dhe panairi është mundësi nga UP-ja dhe Ambasada Franceze për zhvillime të reja të edukimit ndërkombëtar”, ka thënë ajo.
Në këtë panair marrin pjesë 11 universitete frankofone dhe 6 zyre që funksionojnë në kuadër të UP-së dhe jashtë saj por të cilat ofrojnë informata për punësim, praktikë, kurse të gjuhës frenge, bursa dhe rrjetëzim, transmeton Klan Kosova.
Panairi do të jetë i hapur vetëm gjatë ditës së sotme deri në orën 17:00.