Ministria e Infrastrukturës po tenton ta dëmtojë buxhetin e Kosovës qindra mijëra euro vetëm për të favorizuar disa kompani.
Para pak ditëve, MIT ka shpallur fituesit e tenderit “Rikonstruimi i rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë”. Tenderi është ndarë në dy lote (pjesë).
Fitues të tenderit për lot1 janë shpallur kompanitë “Company Eskavatori” Shpk & “Pro&Co Group” Shpk & “Best Company” me vlerë të kontratës prej 7,849,716.18 eurove. Më të lira se kjo kompani kanë qenë 5 të tjera. Çmimi më i lirë ka qenë i kompanisë 2 A GROUP & 2T, me çmim prej 6,477,472.67 euro. Por, të gjitha këto kompani u shpallën të papërgjegjshme nga ministria. Ndërkohë, lajmi.net ka zbuluar se kompanitë fituese nuk i kanë plotësuar disa prej kritereve bazë.
Lot 2 të këtij tenderi e kanë fituar grupi i kompanive “PAPENBURG & ADRIANI”, me çmim prej 6,643,867.79 eurove. Më të lira se kjo kompani kanë qenë edhe dy të tjera. Çmimi më i lirë ka qenë i kompanisë “SA-SALLAHU & GROMA HOLD”, në vlerë prej 5,894,246.39 euro, ose 749,621.40 euro sesa oferta fituese.
Pas shpalljes së rezultate nga komisioni i vlerësimit, tek autoriteti kontraktues janë ankuar 7 kompani, duke pretenduar se janë eliminuar në kundërshtim me LPP-në, dhe duke pretenduar se kompanitë e rekomanduara për kontratë nuk i kanë përmbushur kriteret. MIT ka formuar komisionin vlerësues për rishqyrtimin e pretendimeve të kompanive. Pas rishqyrtimit të ankesave, ministria i ka hedhur poshtë ankesat e të gjitha kompanive dhe e ka lënë në fuqi vendimin e vetë. Më pas kompanitë janë ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, institucion ky i cili pritet që të dalë pas pak ditëve me një gjykimin për këtë lëndë.
Por, rasti më i çuditshëm i ministrisë ka të bëjë me shqyrtimin e ankesës së grupit të operatorëve “SA-SALLAHU & GROMA HOLD”, të cilët kishin ofertën më të lirë tek lot 2 mbi 700 mijë euro. Ky grup i operatorëve, sipas dokumenteve që ka parë lajmi.net ka ofruar faktet e veta nëpër pikat të cilat ministria ua kishte hedhur poshtë ofertën në vlerësimin e parë. Me rishqyrtim të ofertës, ministria nuk ka arritur që t’ua rrëzojë më asnjë pikë, në disa u ka dhënë të drejtë, në disa nuk u ka dhënë asnjë përgjigje, pra nuk ka marr qëndrim për to. Ose saktësisht, tek pikat ankimore – pikën ankimore 3 dhe 6 i kishte pranuar si të qëndrueshme, pikën 5 e ka pranuar pjesërisht, me pikën 1 nuk është marr fare, si dhe ka qëndruar inferiore ndaj pikës 2 dhe 4.
Në vitin 2018, zëvendësministri Rexhep Kadriu, i mori borxh 97 mijë e 753 euro nga kompania ferizajase “Papengurgi&Ardiani”, me pronarë Muhamet Dervishi e Mevlud Dervishi. Këtë borxh, ai e ka deklaruar edhe në formularin e pasurisë 2019 në Agjencinë Kundër Korrupsion.
Infrastrukturës ku punon Kadriu e kishte shpërblyer me tender para pak ditësh kompaninë “Papengurgi&Ardiani” për projektin “Asfaltimi i rrugës Babush-Tërn-Luboc-Koshare-Slivovë”. Vlera e përgjithshme e kontratës është 1.821.792,19 euro. Edhe ky tender është duke u hetuar nga policia, pasi pretendohet se ishte shoqëruar me parregullsi.
Kushtet e paplotësuara për pjesën e parë
Sipas dokumenteve të ofertimit dhe kritereve të parashtruara në njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit, është gjetur se kompanitë e shpallura fituese për lot 1 dhe lot 2 nuk i përmbushin kriteret. Janë një numër i madh i kritereve të pa plotësuara dhe shkelje që i ka bërë komisioni gjatë vlerësimit të ofertave duke i rekomanduar për kontratë grupin e Operatorëve Ekonomik për Lot 1: “Company Eskavatori” Shpk & “Pro&Co Group” Shpk & “Best Company” dhe Operatorin Ekonomik për Lot 2: KNPSH “Papenburg & Adriani Company” Shpk.
Tek lot 1, sipas fletës së të dhënave të tenderit tek kapaciteti teknik dhe profesional: Menaxheri i projektit – Inxhinier i dip. i ndërtimtarisë, drejtimi konstruktiv ose infrastrukturë rrugore me së paku 5 vite përvojë pune profesionale (pas diplomimit). Dëshmia 1 CV e inxhinierit, diploma e noterizuar (noterizimi të prezantohet nga vetë inxhinieri te noteri) kontrata e punës me ofertuesin (kopje e noterizuar, noterizimi të bëhet në prezencë të të dyja palëve). Sipas kërkesës së Autortitetit Kontraktues është që kontrata të noterizohet në prezencë të të dyja palëve, Noteri deklaron që në prezencën time me dorën e vet nënshkruan dokumentin e paraqitur, është e pamundur që një dokument i përpiluar më datën 01.01.2015 të nëshkruhet në prezencë të noterit më datën 30.08.2019.
Njëjtë ka ndodhur edhe tek inxhinieri i komunikacionit.
Ndërkohë, sipas fletës së të dhënave të tenderit tek kapaciteti teknik dhe profesional: Lista e kontratave të realizuara – përfunduara në lëminë e kërkuar për periudhën e shkuar tre vjeçare jo më pak se 10,000,000.00 euro për pjesën I dhe 11,000,000.00 euro për pjesën II. Operatori ekonomik duhet të ketë projekte të realizuara në lëmin e asfaltimit, ndërtimit, rehabilitimit, rikonstruktimit të rrugëve. Dëshmia 7. Procesverbalet e pranimit përfundimtar të punëve duke treguar vlerën, datën, natyrën dhe vendndodhjen e projekteve në lëminë e kërkuar për periudhën e shkuar tre vjeçare. P.sh, nëse shuma totale e kontratave për punë e kërkuar për Lot 1 është 10,000,000.00 dhe për Lot 2 është 11,000,000.00 atëherë kërkesa minimale e kontratave të realizuara e cila duhet të përmbushet nga OE i cili aplikon për dy pjesët (lot) është 21,000,000.00 euro. Sipas kërkesës së Autoritetit Kontraktues është kërkuar lista e kontratave dhe procesverbaleve të pranimeve përfundimtare për periudhën e shkuar 3 vjeçare. Kompanitë e rekomanduar për kontratë kanë prezantuar kontrata edhe më të vjetra sesa 3 vite si dhe ka prezentuar kontrata të kompanive të tjera.
Tek pika e kapaciteteve teknike dhe profesionale, kompanitë fituese kanë prezantuar disa automjete të cilat mund të jenë me afat të skaduar të regjistrimit. Pra regjistrimi i tyre është i dyshimtë, pasi mungon vula: Autobetonjerkë mikser me targa 05-154-DL e cila afatin e skadimit të regjistrimit e ka më 03.04.2019, e njëjta e ka të vendosur datën e skadencës më 11.04.2020 mirëpo në të mungon vula e qendrës së regjistrimit dhe nënshkrimi i zyrtarit të qendrës dhe nuk mund të merret valide. Rimorkio me targa 05-644-XB afatin e skadimit të regjistrimit e ka më 24.05.2019, e njëjta e ka të vendosur datën e skadencës më 27.05.2020, mirëpo në të mungon vula e qendrës së regjistrimit dhe nënshkrimi i zyrtarit të qendrës dhe nuk mund të merret valide. Rimorkio Schëarzmuller TU 40/100, grupi i Operatorëve Ekonomik i ka bashkangjitur të njëjtën një kamioni për transport për asfalt të gatshëm mirëpo e njëjta nuk është rimorkio kiper. Po ashtu, Rimorkio Goldhofer TUE, grupi i Operatorëve Ekonomik i ka bashkangjitur të njëjtën një kamioni për transport për asfalt të gatshëm mirëpo e njëjta nuk është rimorkio kiper. Disa automjeteve u ka skaduar afati i regjistrimit gjatë vlerësimit të ofertave Grupi i operatorëve ekonomik ka ofruar edhe disa paisje të cilat nuk i plotësojnë kriteret sipas FDT-së: Pika 6 e listës së paisjeve është kërkuar Ngarkues, kapac. 0.4-1 m³ grupi i operatorëve ekonomik ka paraqitur 2 paisje të cilat marin njëra 3.1-3.4 m³ dhe tjetra 4.5-8.5 m³. Pika 8 e listës së paisjeve është kërkuar Cilindër 12t vibrues, grupi i operatorëve ekonomik ka paraqitur cilindër 15410 kg, etj.
Kushtet e paplotësuara për pjesën e dytë
Tek kapacitetet teknike dhe profesionale, për menahxerin e projektit është kërkuar diploma të noterizohet nga noteri, mirëpo në diplomën e A.K nuk mund të shihet në asnjë pjesë vula e noterit. Sipas kërkesës së Autoritetit Kontraktues është kërkuar që kontrata të noterizohet në prezencë të të dyja palëve, Noteri deklaron që në prezencën e tij me dorën e vet nënshkruan dokumentin e paraqitur, është e pamundur që një dokument i përpiluar më datën 15.01.2017 të nënshkruhet në prezencë të noterit më datën 03.09.2019. I njëjtë është rasti edhe me shumicën e inxhinierëve të tjerë.
Sipas fletës së të dhënave të tenderit tek Kapaciteti teknik dhe profesional: Lista e kontratave të realizuara përfunduara në lëminë e kërkuar për periudhën e shkuar tre vjeçare jo më pak se 10,000,000.00 euro për pjesën I dhe 11,000,000.00 euro per pjesën II. Operatori ekonomik duhet të ketë projekte të realizuara në lëmin e asfaltimit, ndërtimit, rehabilitimit, rikonstruktimit të rrugëve. Dëshmia 7. Procesverbalet e pranimit përfundimtar të punëve duke treguar vlerën, datën, natyrën dhe vendndodhjen e projekteve ne lëmine e kërkuar për periudhën e shkuar tre vjeçare. P.sh. nëse shuma totale e kontratave për punë e kërkuar për Lot 1 është 10,000,000.00 dhe për Lot 2 është 11,000,000.00 atëherë kërkesa minimale e kontratave të realizuara e cila duhet te përmbushet nga OE i cili aplikon për dy pjesët (lot) është 21,000,000.00 euro.
Sipas kërkesës së Autoritetit Kontraktues është kërkuar lista e kontratave dhe procesverbaleve të pranimeve përfundimtare për periudhën e shkuar 3 vjeqare. Operatori Ekonomik nuk i ka plotësuar kërkesat sipas FDT-së, si dhe në disa kontrata Operatori Ekonomik ka prezantuar referencat e jo Procesverbalet e Pranimit përfundimtarë siç është kërkuar në FDT.
Po, sipas fletës së të dhënave të tenderit tek kapaciteti teknike dhe profesionale, operatori Ekonomik ka prezantuar Rimorkio me targa 05-833-XB me afat të skadimit 10.04.2020 mirëpo nuk është e vulosur nga Qendra e Regjistrimit të Automjeteve.
Grupi i operatorëve ekonomik ka ofruar edhe disa paisje të cilat nuk i plotësojnë kriteret sipas FDT-së: Është kërkuar cilindër 12t vibrues operatori ekonomik ka paraqitur 2 cilindra të cilat njëri ka peshën 11925 kg dhe tjetri 13520 kg të cilat nuk i plotësojnë kriteret sipas Listës së Pajisjeve.
Është kërkuar cilindër 12t me dhëmbëza, vibrues operatori ekonomik ka paraqitur 2 cilindra të cilat njëri ka peshën 16400 kg dhe tjetri 14300 kg.
Është kërkuar cilindër me rrota të kombinuara (gomë dhe Hekur) 7-8 t, operatori ekonomik ka paraqitur 2 cilindra të cilat njëri ka peshën 17420 kg dhe tjetri ka peshën 9300 kg, si dhe operatori ekonomik ka paraqitur cilindrin Hamm HD 90K, 2009 i cili për veç që nuk i plotëson kriteret të njëjtin e ka paraqitur edhe tek paisjet me numër 16 si dhe në atë 17 me numër të DUD-it 0743369 duke e bashkangjitur të njejtin DUD 2 herë, që në këtë rastë operatori ekonomik ka mungesë të një cilindri.
Është kërkuar cilindër me rrota hekuri me vibrim 12t, operatori ekonomik ka paraqitur 2 cilindra të cilat njëri ka peshën 13000 kg dhe tjetri ka peshën 17420 kg.
Kush është kryetarja e Komisionit vlerësues ?
Anëtarë të komisionit vlerësues për këtë tender kanë qenë Blendiona Gegolli – kryetare, dhe anëtarët, Arta Mrtaj –Tolaj, Arbër Ramadani.
Gegolli është shumë e re në moshë, dhe me profesion është arkitekte. Përkundër kësaj, ajo në të gjitha pjesëmarrjet në vlerësim të trendëve që ka qenë, është caktuar kryetare e komisionit vlerësues. Ditë më parë ajo ka qenë e ftuar nga policia e krimeve ekonomike për të dhënë një dëshmi për disa tender që janë duke u hetuar, e ku kryetare e komisionit në disa prej tyre ishte edhe ajo.
Ishte raportuar në media se para pak javëve Sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Betim Reçica, i ka dërguar një letër ministrit Pal Lekaj, me të cilën e ka denoncuar zëvendësministrin Rexhep Kadriu. Në letër thuhet se zëvendësministri Kadriu, ka provuar të ndërhyjë dhe të ushtrojë ndikim për ta favorizuar një kompani të caktuar për ta fituar një tender. Aty përmendeej edhe emri i Gegollit
“I nderuar ministër, Përmes e-mailit zyrtar, me datën 15.07. 2019 në ora 08:06 minuta, kam pranuar njoftimin për “raportim për ndërhyrje dhe ushtrim ndikimi”, të dërguar nga znj. Blediona Gegollaj, anëtare e Komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Ekzaminimet kontrolluese për shërbime laboratorike të rrugëve regjionale dhe rajonale”, me numër prokurimi MI 19 019 211. Sipas “raportit për ndërhyrje dhe ushtrim të ndikimit”, me datën 11.07.2019, ditë e enjte, z. Rexhep Kadriu, zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, e ka thirrur znj. Blendiona Gegollaj në zyrën e tij dy herë, përmes asistentes së tij Drenusha Sherifi, rreth orës 11:00, me qëllim të ushtrimit të ndikimit që komisioni të veprojë në favor të tij. I njëjti e ka ftuar edhe anëtarin e komisionit z. Hysen Merovci, për vlerësimin e ofertave për të ushtruar ndikim që i njëjti të mos aplikojë kriteret e dosjes së tenderit ndaj kompanisë “IPE – Controls”, pasi që te kjo kompani kemi konstatuar mungesë të pajisjeve gjatë vizitës në terren. Të njëjtën ditë, z. Hysen Merovci ka raportuar në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm…”