Drejtoria për Punë Inspektuese në Komunën Gjakovës ka asgjësuar 5000 kilogram produkte ushqimore dhe 150 kg duhan që nuk ishin të sigurta për konsum, përcjellë InLajmi.
Kështu ka bërë të ditur drejtori për Punë Inspektuese në Komunën e Gjakovës, Fazli Hoxha.
Hoxha ka theksuar se si drejtori nuk do të ndalen sa i përket inspektimeve, sepse synim kanë mbrojtjen e konsumatorit.
Postimi i plotë i tij:
Inspektorët në kuadër të Drejtorisë për Punë Inspektuese në Komunën e Gjakovës gjatë ditëve të fundit kanë bërë një punë intensive, e cila ka rezultuar me asgjësimin e 150 kilogramëve të duhanit, që paraprakisht ishin sekuestruar nga ana e inspektorëve, pas një bashkëpunimi me policinë e Gjakovës.
Gjithashtu inspektorët e Tregut, Sanitar dhe Veterinarisë kanë asgjësuar rreth 5000 kilogramë të produkteve të llojit ushqimor, që nuk ishin të sigurta për konsum. Po ashtu, inspektorët kanë bërë edhe sekuestrimin e 474 litrave që përmbanin produkte ushqimore, të cilat ishin në treg për shitje pa i plotësuar kushtet e përcaktuara ligjore.
Nuk do të ndalemi sa i përket inspektimeve, sepse synim kemi mbrojtjen e konsumatorit. /InLajmi/