Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete financiare në vlerë prej 203 mijë euro për shoqatat e dala nga luftaa dhe Lidhjen e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, përcjell InLajmi.
Miratimi i këtyre fondeve është bërë me kërkesë të ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.
Reçica tha se mbështetja e kategorive të dala nga lufta kërkon përkushtim dhe se janë dakorduar që nga viti i ardhshëm kjo kategori të përfshihet në ligjin e buxhetit të shtetit.
Prandaj, mbështetja e kategorive të dala nga lufta kërkon përkushtimin tonë, dhe ne tashmë jemi dakorduar bashkërisht me Kryeministrin dhe me përfaqësuesit e shoqatave të dalura nga lufta që përkujdesja ndaj invalidëve të luftës çlirimtare, respektivisht trajtimi mjekësor i tyre me proteza, nga viti i ardhshëm të rregullohet në mënyrë institucionale përmes Institucioneve përgjegjëse Shëndetësore dhe shërbimit spitalor klinike universitar, sikur që jemi dakorduar që mbështetja financiare për shoqatat e dalura nga lufta nga viti i ardhshëm të përfshihet në ligjin për buxhetin e shtetit.
Ministri tha se ky vendim qëllim ka mbështetjen e ketyre shoqatave për shkak situatës me pandeminë dhe mbështetjen për përmirësimin e shëndetit të invalidëve të luftës.
Ky vendim ka për qëllim përkrahjen financiare të këtyre shoqatave, për shkak të gjendjes emergjente të shkaktuar nga COVID-19 dhe gjendjes po ashtu të rëndë për funksionimin dhe kryerjen e obligimeve të tyre, si dhe mbështetjen për përmirësimin e shëndetit të invalidëve të luftës. Ky fond do të ndahet në kuadër të Fondit për Rimëkëmbje ekonomike.
Skender Reçica ka thënë se, të ndodhur në situatë pandemie duhet ndarja e mjeteve financiare në shumën prej 203 mijë eurove për Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve, Shoqatën e Invalidëve dhe Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së si dhe Lidhjen e Pensionistëve të Kosovës.

Këto mjete do të ndahen si në vijim: 17,000.00 €, do të ndahen për aktivitetet e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve. 34,000.00 € do të ndahen për mbështetje të Organizatës se Veteranëve të Luftës së UÇK-së; 15.000.00 € do të ndahen për mbulimin e shpenzimeve për funksionimin e Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së; 125,000.00 do të ndahen për mbulimin e shpenzimeve për proteza për Invalidët e Luftës së UÇK-së, të cilët e ka gjendjen e rëndë shëndetësore dhe kanë nevojë të domosdoshme për to. Po ashtu me qëllim të mbështetjes për mbulimin e shpenzimeve të aktiviteteve dhe funksionimin e Lidhjes së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, në kuadër të së cilës funksionojnë 30 Organizata Komunale të Pensionistëve do te ndahen 12,000 euro./InLajmi/