Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se nuk do ta votojnë Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike në formën në të cilën është tani.
Nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri ndërkohë më parë ka thënë se nesër do të kalojë ky ligj në Kuvend, pasi ka dështuar disa herë.
Hoxhaj theksoi se nuk duan ta marrin përgjegjësinë e një ligji të keq kur ky ligj të dështojë në pranverë.
“Ne e kemi diskutuar gjatë këtë temë me kryeministrin. Kanë pasur disa takime zotin Hamza dhe Krasniqi. Ne mendojmë që ky ligj në këtë formë është një qasje e gabuar. Qeveria ka humbur shumë kohë. Nëse do të miratohej më herët do të kishte efekt tjetër në ekonomi. Nëse Qeveria është e gatshme që të ulet dhe të diskutoj me PDK-në dhe të merr disa prej sugjerimeve tona në konsideratë, ne jemi të gatshëm që për shkak të qytetarit e jo qeverisë, të votojmë Ligjin. Qeveria ka dështuar të menaxhojë pandeminë, por edhe pasojat që kanë ardhur nga pandemia”, ka thënë Hoxhaj në emisionin Pressing në T7.