Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, me anë të një vizite në qendrën kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Lipjan, ka thënë se shteti jonë i është kundërvënë kësaj dukurie të shëmtuar, përcjell InLajmi.
Me këtë rast, Zemaj është njoftuar për nevojat e personave të trafikuar, furnizimin e deritashëm të qendrës me medikamente dhe përkujdesjen shëndetësore.

Postimi i plotë i tij:

Në Muajin kundër trafikimit të qenieve njerëzore, vizitova qendrën në Lipjan, me këtë rast takova përgjegjësit e kësaj qendre. U informova për nevojat e personave të trafikuar, furnizimin e deritashëm të qendrës me medikamente dhe përkujdesjen shëndetësore.
Trafikimi i qenieve njerëzore është njëra nga mënyrat moderne të skllavërisë, andaj, ne me mundësitë tona, si shtet dhe shoqëri, iu kemi kundërvënë kësaj dukurie të shëmtuar.
Dukuria e trafikimit, për fat të keq, viteve të fundit ka ngritje të rasteve të numrit të rasteve edhe në Kosovë, ku kryesisht vajzat apo personat e mitur i nënshtrohen dukurisë së trafikimit, me origjinë nga Kosova por edhe nga vendet e rajonit.
Përkujdesja për personat e trafikuar do të jetë e plotë nga personeli profesional dhe i aftësuar, duke bërë edhe informimin për këtë dukuri dhe për pasojat e trafikimit./InLajmi/