Deputetët e LDK-së Arben Gashi dhe Kujtim Shala kanë mohuar se deputeti i Vetëvendosjes Gazmend Gjyshinca është sulmuar fizikisht, raporton InLajmi.
Kujtim Shala ka thënë se ai nuk ka provokuar ndonjë situatë gjatë mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, pasi siç ka thënë, ai vetëm ka bërë një koment sa i përket punës së ministrisë së Jashtme.
Për sulmin fizik të pretenduar nga Gjyshinca, Shala ka thënë se gjithçka do të verifikohet nga kamerat e Kuvendit.
Arben Gashi ka thënë se mbledhja e komisionit ka qenë me tensione mes ministres dhe deputetëve të VV-së, por që ata nuk janë përfshirë në këtë debat.
“Ne kemi dalë jashtë mbledhjes së komisionit dhe ne diskutime në korridor deputeti Gjyshnica dhe deputetja Pacolli shfaqën një gjuhë agresive dhe ne u larguam, kjo mund të dëshmohet edhe me videon të cilën e ka bërë vet deputeti Gjyshnica, që është mirë me publiku.
Po ashtu edhe videot e Kuvendit të Kosovës. LVV po dëmton qëllimshëm reputacionin e Kuvendit dhe reputacionin e deputetëve të LDK-së”, tha ai./InLajmi/