Pas një edicioni të suksesshëm në Bundesliga 2, Leart Paqarada do të ndërrojë mjedis.
Reprezentuesi i Kosovës në futboll, Paqarada, të hënën ka njoftuar se do të largohet nga skuadra Sandhausen. Për Sandhausenin, 25-vjeçari ka luajtur plot gjashtë vjet. Kësaj skuadre i ishte bashkuar më 1 korrik të vitit 2014, kurse kontrata aktuale i skadon nesër.
Ai nuk do të vazhdojë kontratën me Sandhausenin, në kërkim të ndonjë sfide më të madhe.
Mbrojtësi i majtë ishte zhvilluar te Werder Bremeni dhe te Bayer Leverkuseni.
Këtë edicion është paraqitur në 32 ndeshje kampionale, ndërsa ka kontribuar me një gol e pesë asistime. Ka kompletuar të gjitha 32 ndeshjet, kurse ka munguar në një ndeshje për shkak të kartonëve e në një tjetër me leje të klubit.
“Gjashtë vjet dhe 160 ndeshje. Ka qenë kohë shumë e bukur. Faleminderit dhe lamtumirë. Ju uroj shumë suksese në të ardhmen”, ka shkruar Paqarada, përcjell Reporteri.
Sandhauseni ka përfunduar edicionin në vend të dhjetë. Për këtë skuadër luan edhe Besar Halimi.