Shkruan Osman GORANCI
Kjo thënie nga gazetari, publicisti, shkrimtari dhe humoristi i ndjerë, Niko Nikolla, ishte edhe motoja, i një Feste të madhe të humorit, që me sukses u organizua në Korçën e serenatave, të birrës dhe të humorit.
Me 13/15 dhjetor, në organizim të, “Albanian Excelence”, me producente dhe skenar nga Flora Nikolla, e përkrahur dhe mbështetur nga një staf profesionistësh, në Korçën e bukur u mbajt Edicioni i III-të i Konkursit Mbarëkombëtar i Letërsisë së Humorit, “Niko Nikolla”, ku morën pjesë autorë nga Shqipëria, Kosova, Italia, Lugina e Preshevës dhe Gjermania.

Ky aktivitet UNIK jo vetëm në Shqipëri, i bashkoi dhjetra e dhjetra, autor të njohur të prozëz, poezisë, karikaturës, dhe të komedisë, nga të gjitha trojet tona dhe nga bota, të cilët për dy netë, këtë Konkurs e kthyen në një festë të madhe të humorit, karikaturës dhe të artit letrar.

Në praninë e personaliteteve të letrave dhe të artit, nata e parë në holin e teatrit ”Andon Zako Çajupi”, në Korçën mikpritëse, solli një atmosfere të ngrohtë, të shoqëruar me një ekspozitë karikaturash dhe shtande të librave të humorit, që i bashkoi humorin me artin pamor, duke i dhënë vlerë të veçantë kësaj mbrëmjeje. Më pas, darka miqësore vazhdoi në “Boutique Meri Hotel”, më muzikë, rrëfime humori, autografe dhe karikatura nga Endri Beqo.

Mbrëmjet e paharruara, në restorantet e Korçës, vizita e Shtëpisë muze të madhit Dritëro Agolli, në Menkulas, ku nga vajzat dhe djemtë valltarë i përcollëm vallet karakteristike të Devollit, me ç’rast kryetari i bashkisë së Devollit zotëri Eduard Duro, shtroi drekë për të gjithë pjesmarrësit e këtij Konkursi.

“Me shumë mund dhe vullnet edhe në këtë edicion të Konkursit mbarëkombëtar të humorit “Niko Nikolla”, po mundohemi që letërsisë së humorit, t’i japim një nxitje dhe një zhvillim të dinjitetshëm që edhe i takon. – tha për InLajmin Flora Nikolla, drajtoresha ekzekutive i, “Albanien Exellence”. – Natyrisht falë stafit tejet bashkëpunues dhe profesionist, edhe në këtë edicion arritëm të kemi prurje të kënaqshme të humorit”.

Në galla mbrëmjen e ndarjes së Çmimeve që u organizua në Teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë, sikur edhe në hapjen solemne, ishin aktorja Zamira Kita dhe Flora Nikolla që i dhanë shkëlqim si Konkursit, ashtu edhe prezantimit të të gjithë pjesmarrësve, të Edicionit të III-të, të cilëve iu ndanë nga një Diplomë për pjesmarrje në këtë evinement. Juria profesionale në krye me Fatmir Toçi, botues i njohur nga Tirana, në këtë galla mbramje, aktorin, humoristin dhe karikaturistin Bujar Kapaxhiu, nderoi me Çmimin e parë. Me Çmimin Post Mortem, juria e nderoi humoristin e ndjerë Teodor Keko, ndërsa me Çmimin e karierës u nderua Ferid Lamaj.
Gjithashtu, juria mori vendim edhe për botimin e tre dorëshkrimeve humoristike.
Këtë shkrim, po e përfundojmë me një thënje të publicistit, humoristit dhe shkrimtarit Niko Nikolla i ndjerë, i njohur në Shqipëri, si njeriu i cili arriti të drejtojë për 25 vjet revistën e parë opozitare në vend “Hosteni”, si kryeredaktor i saj. Përndryshe, Niko Nikolla e lidhi jetën e tij me gazetarinë sa dhe me humorin përgjatë 45 viteve.
“Humori është sikur deti. Në breg duket i bukur. Por, ata që janë marinarë e dine se sa i vështirë është deti”./InLajmi/



















