Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë lëshuar një paralajmërim urgjent për banorët e një pjese të konsiderueshme të Teheranit perëndimor, duke u kërkuar të largohen menjëherë nga zona për shkak të operacioneve ushtarake që do të ndërmerren në orët në vijim.
Zëdhënësi i IDF-së, Avichay Adraee, bëri njoftimin përmes një postimi në rrjetin social X, duke deklaruar se ushtria izraelite do të veprojë në këtë zonë, siç ka vepruar në ditët e fundit në pjesë të ndryshme të kryeqytetit iranian, me qëllim goditjen e infrastrukturës ushtarake të regjimit iranian. “Prania juaj në këtë zonë rrezikon jetën tuaj,” theksoi ai.
Së bashku me paralajmërimin, u publikua edhe një hartë që identifikon zonat në distriktin e tretë të Teheranit ku kërkohet evakuimi i menjëhershëm i banorëve. Paralajmërimi vjen në një kohë kur tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë përshkallëzuar ndjeshëm pas një vale shkëmbimesh raketash dhe sulmesh ajrore gjatë ditëve të fundit.
Raportime nga banorë të Teheranit Perëndimor bëjnë të ditur për BBC se janë dëgjuar shpërthime të fuqishme, ndërsa në rrjetet sociale iraniane janë publikuar video dhe imazhe ku shihet tym i dendur që ngrihet nga zonat malore përreth kryeqytetit.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Fars, e afërt me Gardën Revolucionare, një bazë ushtarake në Teheranin Perëndimor është goditur nga sulmet izraelite. Ndërkohë, autoritetet iraniane kanë konfirmuar aktivizimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore në këtë pjesë të qytetit.