Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në kryeqytet, ku Inspektorati për Trashëgimi Kulturore ka ndaluar punimet që kishte nisur Komuna e Prishtinës në sheshin “Xhorxh Bush”.
Bajrami thotë se “Institucionet e Republikës së Kosovës siç janë Policia e Kosovës, Inspektoratet e të tjera nukë, të cilët tashmë kanë shkelur betimin e deputetit, ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.
“Xhelal Sveçla, Hajrullah Çeku dhe ish-ministra të tjerë, tashmë deputetë nuk kanë asnjë autorizim apo autoritet më shumë se deputetët e tjerë të Kuvendit të Kosovës. Prandaj askush s’duhet të ju nënshtrohet dhe të përfillë urdhrat dhe kërkesat e tyre, joligjore dhe për interesa të ulëta politike”, thuhet në reagimin e deputetes Bajrami.
Tutje, ajo thekson se “LVV, tash e katër vite përmes pushtetit, nuk ka lënë komunë pa e bllokuar – herë duke ndalur fondet, e herë projektet. Por ngjarjet e ditëve të fundit, me rastin e sheshit “Xhorxh Bush”, nuk janë vetëm kundër Komunës së Prishtinës, por edhe kundër vetë qytetarëve – një skandal më vete”.
“Bllokuesve dhe uzurpatorëve, të cilët paradite dërgojnë letër se gjithçka është në rregull dhe pasdite përdorin policinë për të ndërprerë punimet, duhet t’u thuhet: mjaft! Institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë sa më parë kundër bllokuesve të punëve publike e uzurpatorëve të posteve qeveritare”, është shprehur ajo.

Ndryshe, punimet për transformimin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë janë kthyer në pikë përplasjeje mes institucioneve lokale dhe atyre qendrore. Komuna e Prishtinës kishte nisur muaj më parë punimet, duke i cilësuar ato si pjesë e një transformimi urban. Megjithatë, punimet u ndërprenë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.
Pas disa ditësh, komuna rifilloi punimet, por ato u ndërprenë sërish të martën. Mospajtimi lidhet me mungesën e miratimit për projektin, i cili sipas Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës (IKMM), rrezikon integritetin e monumenteve përreth për shkak të ndërtimit të planifikuar të strukturave të reja.
Në një shkresë zyrtare drejtuar Komunës së Prishtinës, IKMM ka kërkuar që dokumentacioni i projektit të plotësohet dhe të rishikohet ndikimi që ai mund të ketë në trashëgiminë kulturore, përcjell Telegrafi.com
Ndryshe, projekti ishte planifikuar të përfundojë pas 240 ditëve të punës, dhe ky projekt kap shifrën prej 18.1 milionë eurosh.