Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e ka ndërmarrë një intervenim të menjëhershëm për largimin e katër veturave që ishin të parkuara në lagjen “Velania”.
Veturat ishin të parkuara pranë një grope ndërtimore, të cilat paraqisnin rrezik potencial për rrëshqitje.
“Veprimi është realizuar në mënyrë të koordinuar dhe të sigurt, duke mbyllur përkohësisht rrugën e dëmtuar me shirita sigurie dhe duke vendosur sinjalizime përkatëse afër rrethojave të kantierit ndërtimor”, shkruan Rama.
“Në vendin e ngjarjes kanë qenë të pranishëm, Policia e Kosovës, Brigada Profesionale e Zjarrfikësve (BPZ), Kompania për Intervenime Emergjente e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, pronarët e veturave si dhe përfaqësuesi i kompanisë ndërtimore”.