Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas një bisede telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, tha se Moska e mbështet legjitimitetin e Qeverisë së zgjedhur në Serbi dhe se gjithmonë e ka mbështetur entitetin Republika Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë.
Vuçiç tha se ka diskutuar me presidentin rus më 7 mars lidhur me situatën në Serbi dhe rajon, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme, përfshirë arritjen e një marrëveshjeje të re për gaz me Rusinë dhe për çështjen e sanksioneve amerikane ndaj Industrisë së Naftës të Serbisë (NIS).
Ai po ashtu tha se është konfirmuar takimi i tij me Putinin në Moskë më 9 maj.
Në një video-adresim, të publikuar në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiç tha se ka biseduar me presidentin rus lidhur me “përpjekjen për revolucionin shumëngjyrësh në Serbi”.
“Rusia e kupton dhe e sheh shumë mirë se çfarë po ndodh dhe do të vazhdojë të mbështesë autoritetet ligjore dhe të zgjedhura në mënyrë legjitime në Serbi”, tha Vuçiç.
Përfaqësuesit e autoriteteve në Beograd, po i quajnë protestat disamujore në Serbi, që po organizohen për të kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 personave nga shembja e një strehe betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad, përpjekje për një revolucion shumëngjyrësh.
“Qëllimi i përfaqësuesit të Lartë në Bosnje është rrëzimi i Dodikut”
Vuçiç tha se gjatë bisedës telefonike lidhur me situatën në rajon, ai “përçoi mesazhin” nga presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, te Putini.
“Presidenti Putin i sheh përpjekjet dhe lëvizjet e përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë e Hercegovinë se kanë një qëllim, e që është rrëzimi i Millorad Dodikut. Federata Ruse gjithmonë ka mbështetur Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe Republikën Sërpska”, tha Vuçiç.
Më 26 shkurt, Gjykata e Bosnjës e dënoi Dodikun me një vit burgim dhe shqiptoi ndalesë për gjashtë vjet të ushtrimit të postit të presidentit të Republikës Sërpska, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt.
Pas vendimit, Kuvendi i Republikës Sërpska miratoi disa ligje që ndër të tjera ndalojnë punën e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjës, por edhe Agjencisë Shtetërore të Hetimeve në territorin e këtij entiteti.
S’ka detaje lidhur me bisedimet për NIS-in
Vuçiç tha se ai dhe presidenti rus kanë biseduar po ashtu për zgjidhjen e çështjes së NIS-it, pas sanksioneve amerikane ndaj kompanisë. Megjithatë, udhëheqësi serb nuk dha detaje për këto bisedime.
SHBA-ja e ka vendosur në listë të sanksioneve NIS-in më 10 janar, për shkak të pronësisë ruse, në mënyrë që të parandalojë Moskën që të përdorë të ardhurat nga energjia për luftën në Ukrainë.
Sanksionet, që ishin paraparë të hynin në fuqi në fund të shkurtit, u shtyn deri më 28 mars, dhe në ndërkohë struktura pronësore e NIS-it ka ndryshuar.
Gazprom Neft ka transferuar rreth 5 për qind të aksioneve te Gazprom, kompani ruse që nuk është nën sanksione amerikane. Sipas dokumenteve të publikuara nga Bursa e Beogradit, Gazprom Neft tani ka 44.8 për qind të aksioneve në NIS nga 50 sa kishte më herët.
Serbia varet kryesisht nga Rusia në sektorin e energjisë dhe Gazpromi është furnizuesi i vetëm me gaz dhe hisedari kryesor në gazsjellësit nga Rusia për në Serbi.
Marrëveshja e fundit për furnizim me gaz, që u arrit nga Vuçiçi dhe Putini në maj të vitit 2022, skadon këtë vit dhe presidenti serb tha se ka biseduar me Putinin për mënyrat se si të arrihet një marrëveshje e re para skadimit të marrëveshjes aktuale.
Perëndimi i ka kërkuar Serbisë që të diversifikojë furnizimet me energji, veçmas pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe po ashtu i ka kërkuar Beogradit që të vendosë sanksione ndaj Moskës për shkak të luftës në Ukrainë, shkruan REL.
Beogradi nuk i ka vendosur sanksione Moskës dhe pavarësisht luftës në Ukrainë vazhdon të mbajë lidhjet me Rusinë.