Deputetja e PDK-së, Musliu-Shoshi ka thënë se kjo letër nuk është dashur t’i drejtohet presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos por ministrit të punëve të jashtme të Lihtenshtajnit që ka udhëheqjen e Komitetit të Ministrave.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu – Shoshi ka thënë se letra e Ministrës së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla për Asociacionin është adresuar në drejtim të gabuar.
Në emisionin “Rreth e Rrotull”, Musliu-Shoshi ka thënë se kjo letër nuk është dashur t’i drejtohet presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos por ministrit të punëve të jashtme të Lihtenshtajnit që ka udhëheqjen e Komitetit të Ministrave.
“Kemi një letër e cila përveç në përmbajtje është joprofesionale, adresimi është gabim, i drejtohet presidentit të asamblesë parlamentare, ai e ka kryer punën e vet. Nuk ka asnjë anë protokollare, i drejtohet personit të gabuar, kur është një proces i përfunduar në asamble, është dashur të i drejtohet ministrit të punëve të jashtme të Lihtenshtajnit që ka udhëheqjen e Komitetit të Ministrave”, ka deklaruar Musliu-Shoshi.
Ajo e ka cilësuar letrën e Gërvallës mashtrim për qytetarët e Kosovës.
“Kemi një letër që vjen nga Gërvalla e cila më shumë ishte e e interesuar të merrej me luftën hibride të Rusisë në rajon e më gjerë, se sa të merrej me anëtarësimin në KiE”, ka vijuar ajo.
Ndryshe, dje Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draftstatut për Asociacionin, të cilin pritet ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.
Kjo është bërë e ditur në një letër drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, përcjell Dukagjini.
Ajo ka njoftuar se në Kushtetuese do ta çojnë një draftstatut të përgatitur nga vetë qeveria dhe jo draftin evropian.