Kryeparlamentari Glauk Konjufca, në homazhet që bëri gjatë ditës s premte në Lipjan, tha se lufta për liri ishte e pabarabartë, përcjell InLajmi.
Ai tha se të rënët janë “dhimbje e pakalueshme”, që na kujtojnë se sa shumë u sakrifikua deri te çlirimi i vendit.
E kemi borxh ndaj tyre që të punojmë për zhvillim e përparim, sepse ashtu i japim kuptimin më dinjitoz sakrificës së tyre, theksoi Konjufca.
Lavdi të rënëve në Hallaq të Vogël dhe të gjithë atyre që dhanë gjithçka për liri, përfundoi ai.
Postimi i plotë i tij:
Gjatë muajit prill të 1999-ës masakrat e forcave pushtuese të Serbisë ndaj civilëve të pambrojtur shqiptarë, po shtoheshin gjithnjë e më shumë, po bëheshin gjithnjë e më makabre, brenda fushatës kriminale të gjenocidit ndaj popullit tonë.
Lufta ishte e pabarabartë, me Serbinë gjenocidale të vendosur për të shfarosur këdo që ishte shqiptar, edhe pse ata ishin të paarmatosur, me të vetmen ëndërr për të jetuar të lirë e të pavarur në atdheun e vet.
Sot bëra homazhe në Hallaq të Vogël të Lipjanit, si dhe në Rufc të Ri, për ta nderuar sakrificën e tyre.
Të rënët janë ajo dhimbje e pakalueshme, duke na kujtuar se sa shumë u desh të sakrifikohet deri te ardhja e lirisë, të cilën e gëzojmë sot. E kemi për detyrë që të mos i harrojmë, që të bëjmë gjithçka mundemi për të vendosur drejtësi. E kemi borxh ndaj tyre që të punojmë për zhvillim e përparim, sepse ashtu i japim kuptimin më dinjitoz sakrificës së tyre.
Lavdi të rënëve në Hallaq të Vogël dhe të gjithë atyre që dhanë gjithçka për liri!/InLajmi/