Në zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje është pritur deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, përcjell InLajmi.
Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje Alim Rama, bashkë me Ardita Sinanin, këshilltare e kryeministrit Albin Kurti, si dhe Këshilltarin e zv.Kryeministrit Bislimi, Ragmi Mustafi dhe Sekretarin Organizativ të PVD-së, Rahim Salihi e mirëpresin në seli Kamberin.
Në njoftim theksohet se LVV mbetet e përkushtuar në mbështetjen për subjektet politike shqiptare që pos dimensionit politik progresiv mbrojnë pa luhatje interesat shqiptare.
Njoftimi i plotë:
Në zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE! pritëm delegacionin e Partisë së Veprimit Demokratik të prirë nga deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, njëherit Kryetari i partisë, Shaip Kamberi të shoqëruar nga Këshilltarja e Kryeministrit Kurti, Ardita Sinani, Këshilltarin e zv.Kryeministrit Bislimi, Ragmi Mustafi dhe Sekretarin Organizativ të PVD-së, Rahim Salihi.
Shfrytëzuam rastin t’i urojmë fitoren e jashtëzakonshme në zgjedhje të fundit në Serbi platformës politike ‘’Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”. Falë besimit të madh qytetar e rezultatit të paparë ndonjëherë shqiptarët e Luginës vazhdojnë të kenë një përfaqësues të denj që përfaqëson vërtetësisht interesat e shqiptarëve të Luginës.
Pas zgjedhjeve të përgjithshme atje, brenda pak kohësh Lugina do t’i nënshtrohet edhe procesit të zgjedhjeve lokale për çka i uruam, po ashtu sukese të radhës e punë të mbarë në procesin elektoral.
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e përkushtuar në mbështetjen për subjektet politike shqiptare që pos dimensionit politik progresiv mbrojnë pa luhatje interesat shqiptare dhe avokojnë të drejtat e komunitetit shqiptar kudo./InLajmi/