Ura e Kasabashit është një vepër inxhinierike që mban statusin “Monument Kulture”, Kategoria I. Ura gjendet në afërsi të qytetit të Çorovodës në rrethin e Skraparit.
Ajo futet në tipologjinë e urave simetrike me tre qemerë me kurriz dhe me dritare shkarkuese.
DRTK Berat kujton se, dikur nëpër këtë monument kalonte rruga e karvaneve Berat-Skrapar-Korçë. Mendohet që ura të jetë një vepër e arkitekt Kasëmit nga fshati Grëmsh. Kjo mund të hamendësohet edhe nga emërtimi i urës (Kasabash-mjeshtër Kaso-Kasëmi).
Qemeri qëndror, i cili ka një vëllim më të madh, paraqitet me nje konstruksion me majë të mprehtë me hapësirë drite 12 m, ndërsa 2 qemerët anësorë janë më të vegjël në vëllim dhe kanë formë gjysmë rrethore.
Ura e Kasabashit është ndërtuar mbi një degë të lumit Osum, shkruan ATSH.
Ajo ndodhet rreth 1 km larg qytetit të Çorovodës, në veri të tij. Specialistët mendojnë se është ndërtuar rreth shekullit XVI – XVII.