Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.
Aktgjykimi ndaj Konjufcës u shpall të hënën nga gjykatësja Edita Çanta.
Në aktakuzë thuhet se në Kuvendin e Kosovës më 10 gusht 2016, në cilësi të deputetit, Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë.
Sipas gjykatëses Çanta, nuk është provuar se Konjufca ka kryer veprën që i vihej në barrë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Kurse, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” për të cilën ka arritur parashkrimi, është refuzuar akuza.
I njëjti lirohet nga pagesa e shpenzimeve të procedurës penale dhe paushallit gjyqësor. Këto shpenzime bien në barrë të mjeteve buxhetore të gjykatës.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi.
Lidhur me pikën 1 të dispozitivit të aktakuzës, gjykatësja tha se pas analizimit të të gjitha provave personale dhe materiale që ka pasur në dispozicion, gjykata ka konstatuar se nuk është vërtetuar gjendja faktike si në dispozitiv të aktgjykimit.
Gjykatësja Çanta tha se mungon vërtetimi për sekuestrim të sendeve, me të cilin do vërtetohej fakti se i pandehuri ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Po ashtu, gjykatësja tha se nga deklarimi i dëshmitarëve gjatë shqyrtimit gjyqësor, asnjëri nga dëshmitarët nuk e ka inkriminuar Konjufcën si kryerës i veprës penale, shkruan Betimi për Drejtësi.
Shpallja e aktgjykimit u bë në mungesë të Konjufcës.