Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Joffre, tha që duhet të shqyrtohen seriozisht të gjitha pretendimet për parregullsi në zgjedhje dhe të inkurajohet qeveria që të zbatojë rekomandimet e raportit të ODIHR-it sa më shpejt që të jetë e mundur, transmeton InLajmi.
Kështu u shpreh Joffre lidhur me rezolutën e Parlamentit Evropian që kërkon hetim ndërkombëtar për zgjedhjet e dhjetorit, ku pritet raporti përfundimtar i misionit vëzhgues të zgjedhjeve të ODIHR-it, për të inkurajuar Qeverinë e Serbisë që të përmbushë të gjitha rekomandimet e tyre.
Jofre, tha se qëllimi është të forcohet procesi zgjedhor dhe se pas publikimit të raportit të ODIHR-it, të inkurajohet Qeveria e Serbisë “të ndjekë rekomandimet” e atij organi.
“Pas zgjedhjeve kërkuam shqyrtim serioz të të gjitha pretendimeve për parregullsi dhe theksuam se është e nevojshme të kemi një kornizë të fortë zgjedhore, si dhe të eliminojmë të gjitha dobësitë e vërejtura nga ai mision. Ne presim me padurim raportin e ODIHR-it që duhet të publikohet së shpejti dhe inkurajojmë qeverinë të zbatojë rekomandimet e atij raporti sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Joffre.
Ai vuri në dukje se ODIHR është një institucion që është i specializuar “jo vetëm në vëzhgimin, por edhe në vlerësimin e zgjedhjeve dhe ofrimin e mbështetjes”, shkruan Danas.
“Ne sigurisht ofrojmë mbështetje për të zbatuar të gjitha rekomandimet, jo vetëm në Serbi por edhe në të gjithë rajonin”, përfundoi Joffre./InLajmi/