Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa në seancën e së enjtes ka akuzuar ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla se nuk ka sjellur ndonjë sukses në diplomacinë kosovare por se vetëm i ka bërë “argaten Serbisë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Sipas Beqës, këtë ia ka thënë vetë Gërvallës ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq i cili e ka falënderuar e lëvduar “për të keq që ia ka bërë argaten Serbisë”.
“Edhe ata që e kanë lëvduar e falënderuar e kanë lëvduar për keq, që është bërë argate e Serbisë kundër UÇK-së. E dimë cfarë i ka thënë Daçiqi, pse ka thënë që ka me dërgu dosje e me bashkëpunu, nuk dua të thellohem më shumë. Ligji për hetim parlamentar është instrument në vete, ne duhet ta hetojmë, nuk duhet të frikësohet nga zbardhja e së vërtetës, ta dimë si përfaqësojnë njerëzit që marrin para publike”, ka thënë Beqa.
Sipas Beqës, rezultatet maten me vepra konkrete e punë dhe se sipas tij, kjo ministre nuk ka sjellur asnjë njohjë e asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Besoj të gjithë jenë të pajtimit, rezultatet maten me vepra konkrete e punë. Asnjë sukses kjo ministre nuk e pasur, asnjë njohje, asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka vijuar ai.
Ai ka akuzuar Gërvallën se i ka blerë jashtëligjshëm 6-të vetura në Zagreb ambasadorit Martin Berishaj, shkruan TV Dukagjini.
“Ne kemi aq shumë skandale në diplomaci. Skandali i fundit ku ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla i ka ble jashtëligjshëm 6-të vetura në Zagred ambasadorit Martin Berishaj. Me ligj të prokurimit publik nuk lejohet udhëheqja e kontratave njëburimore jashtë shtetit”, ka vijuar ai.