Basketbolli në Kosovë po merr rrjedhë të mirë dhe çdo ditë e më shumë po vazhdon të jetë dominues. Kjo për faktin se viteve të fundit ka filluar të investohet jashtëzakonisht shumë, çka ka bërë që edhe të rritet konkurrenca e madhe në klube. E krahas kësaj, kjo ka bërë që edhe adhuruesit të kthejnë kokën nga palestrat sportive, duke i mbushur shumë prej tyre.
Si rrjedhojë e kësaj, edhe basketbolli në konkurrencën e femrave po shënon ngritje të madhe dita e ditës, duke dalë në pah shumë vajza të talentuara.
E një prej tyre është edhe basketbollistja, Agnesa Rrahmani e cila është duke arritur suksese të jashtëzakonshme, si në rrafshin individual, po ashtu edhe në atë kolekitv.
E lindur në qytetin e Ferizajit, Rrahmani e filloi karrierën në këtë sport në moshën 14-vjeçare, duke u regjistruar ne klubin e qytetit “Kastrioti”, aty ku qëndroi për 5 vite dhe mori hapat e parë si një basketbolliste.
Me talentin e jashtëzakonshëm të saj, kjo nuk mbeti pa u vërejtur as nga reprezentacioni i Kosovës, duke u ftuar dhe bërë anëtare e rregullt e përfaqësueses së Kosovës, në grupmoshat nga U16 deri te ajo U20.
E me pjesëmarrjen e saj në përfaqësuese, sigurisht se nuk kishin si të mungonin as çmimet individuale, ku gjatë kësaj periudhe, karshi shumë sukseseve të shumta, në vitin 2016 ajo mori cmimin “All Star Five”, e gjithashtu duke u zgjedhur disa herë koshashënuesja më e mirë në kampionate Evropiane.
Pas 5 sezoneve të kaluara në klubin e qytetit ku lindi ajo, Agnesa vendosi që të bëjë një hap më të madh të saj në karrierë, duke u transferuar kështu në klubin e kryeqytetit, Prishtina. Në kryeqytet, ajo së bashku me klubin e saj të ri shkroi histori, duke u bërë klubi i parë që fiton Ligën Unike.
E pas një organizimi të mirëfilltë, klubi pejan i femrave Peja 03 e transferoi Rrahmanin verën që shkoi në këtë qytet, për të shkuar drejt objektivave siç është titulli kampion, me vajzën ferizajase si shtytje kryesore drejt këtij objektivi.
Së fundi, Agnesa ishte edhe pjesë e reprezentacionit të Kosovës A, dhe vitin që lam pas ajo ishte edhe pjesë e reprezentacionit 3×3 duke marrë pjesë në të gjitha eventet Evropiane te realizuara nga FIBA.
Në një prononcim, Rrahmani teksa u pyet se cilat janë objektivat e saj për të ardhmen, ajo shtoi se synimi është që të arrijë të fitojë sa më shumë tituj e kupa që është e mundur por synimi kryesor mbetet përmirësimi i vetes dhe të jetë çdo herë e më e mire dhe të vazhdojë edhe me më shumë punë,shkruan Gazeta Sinjali.
Tutje ajo nuk ka përjashtuar edhe ndonjë eksperiencë jashtë shtetit, duke thënë se si cdo sportist tjetër, edhe ajo do të provonte një aventurë të re diku në Evropë.