E lindur në Shkupin e Nënë Terezës, Emira Selimi është nismëtarja e re e një projekti me rëndësi madhore për të gjithë shqiptarët, atij për të shpëtuar gjuhën shqipe dhe për të hedhur dritë në qytetin e vjetër shqiptar, i cili në heshtje, me hapa shumë të shpejtë, po shkonte drejt një asimilimi të plotë.
Bitola emri i ri i cili i është vënë qytetit të Manastirit, tkurrja e planifikuar e numrit të popullsisë në vetëm 5 mijë banorë, duke u shtuar mbiemrave shqiptarë mbaresa sllave, si dhe mbyllja e shkollave të mesme shqipe në këtë qytet historik shqiptar, janë arsyet që e kishin ngacmuar thellë misionaren Selimi, për t’i dhënë zë në mbarë kombin shqiptar një fenomeni të tillë, dhe për të ndërmarrë një nismë vetanake që do ta parandalonte këtë gjë.
Të shumtë ishin ata të cilët i premtuan për ndihmë, kur ajo e kishte paraqitur projektin fillimisht si ide, por kur ishte koha që ky vizion të merrte formë fizike, për realizimin e të cilit ishte e domosdoshme lëvizja për sigurimin e librave shqip, ajo u la e vetme. E dëshpëruar dhe e mërzitur për këtë fakt, e gjithashtu nën trysninë dhe sulmet e të tjerëve, ajo vendosi që këtë mision ta vazhdonte vetëm me forcat e saj dhe me mbështetjen e familjes.
Por jo, kur njeriu ka një qëllim të pastër e i cili është në shërbim të të tjerëve, duket sikur universi ndërmerr vetë hapa për të konkretizuar dhe realizuar atë gjë, në këtë rast duke i vënë në dispozicion ndihmën e gjithë popullit shqiptar, e cila është shumë më me vlerë dhe më e rëndësishme se sa ajo e disa individëve të cilët me ndërrime të pushteteve, shkojnë e vijnë.
Biblioteka që morri formë nga librat e dhuruar nga mbarë kombi shqiptar, u përurua në Ditën e Alfabetit Shqip, më 22 nëntor 2023, fiks 115 vite nga koha kur etërit e gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit, në po këtë datë më 1908 i dhanë vulën kësaj gjuhe, e cila ndër mileniume kishte qenë target i asimilimeve të mundshme, nga pushtuesit e njëpasnjëshëm.

Iniciatorja e këtij projekti, Emira Selimi skandaloz e quante faktin që një qytet me rëndësi të madhe historike për shqiptarët, ishte lënë në harresë nga politika shqiptare, e të cilin hap pas hapi po e përvetësonin të tjerët, shkruan Kult Plus.
“Manastiri është qytet i iluminizmit shqiptar. Në këtë qytet u themelua edhe alfabeti i gjuhës shqipe, e poashtu Manastiri ka qenë qendër vilajeti dhe fakti që sot ky qytet nuk përmendet fare nga shqiptarët është skandaloze. Qëllimi dhe ideja ishte që i gjithë kombi ynë të dëgjonte për Manastirin dhe të solidarizohej me të. Ajo çfarë e bën edhe më unike bibliotekën është se në krahasim me gjithë bibliotekat tjera në trevat tona, këtë bibliotekë e ka themeluar i gjithë kombi shqiptar, në një ditë me simbolikë shumë të fuqishme si ajo e 22 nëntor-it”, ka thënë Selimi.