Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar ndaj vrasjes së Liridona Ademaj-t të cilën e quajti vrasje me paramendim, përcjell InLajmi.
Në reagimin e tij, Kurti shprehet se vrasja e grave dhe vajzave do të vazhdojë përderisa normat patriarkale mbizotërojnë. Sipas tij arrestimet e kriminelëve nuk janë të mjaftueshme nëse ata që kryejnë krime të tilla nuk marrin dënim të merituar.
Më tutje, kryeministri i bën thirrje sistemit gjyqësor që të jetë i vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin. Ndërkohë, Kurti thotë se qytetarët presin që zyrtarët publikë aktual, por edhe ata në të kaluarën të jenë shembull pozitiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve.
Postimi i tij i plotë:
Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua.
Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë.
Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore.
Sot ishte seanca dëgjimore, ku tre të dyshuarve iu caktua nga një muaj paraburgim. Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin.
Dhimbja është e madhe. Ndërgjegja është kolektive, në secilën familje, shtëpi.
Për ta parandaluar këso krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend.
Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu.
E qytetarët e Republikës presin nga zyrtarët publikë që punojnë (apo kanë punuar) në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo kriminelë a mujsharë që besojnë se ia dalin. / InLajmi /